Filmi “Era” i regjisores Parta Kelmendi mori vendin e parë në edicionin e 24-të të “Cinedays Festival of European Film” në Shkup, përcjell TV21. Nga juria theksuan se përzgjedhja ishte e vështirë pasi në garë kishte shumë vepra, që ofronin një gamë të gjerë veprash nga i gjithë rajoni i Evropës Juglindore, respektivisht nga Kroacia, Serbia, Maqedonia, Bullgaria dhe Greqia.
Në lidhje me: “Era” prek emocionet e publikut në Shkup! Filmi i Parta Kelmendit rikthen kujtimet e viteve ’90 në Kosovë
Në lidhje me: “Era” kthehet me çmim nga New York

“Flet për “vjedhjen” e rinisë në fillim të luftës në Kosovë. Temë që rrallë përpunohet, edhe pse në vitet e 90-ta ishim dëshmitarë të shumë ngjarjeve të tilla. Në periudhë të eskalimit të tensioneve, rrallë e paraqitur në kinematografinë rajonale, kjo paraqet sfidë edhe për autorë me përvojë. Me dialog minimal dhe qasje precize të regjisores, Kelmendi hap dhe mbyll shumë dilema”, tha mes tjerash Ana Opaqiq, anëtare e jurisë.

Filmi “Era” u vlerësua si një rrëfim i fuqishëm që rikthen kujtimet e viteve ’90 në Kosovë. Me skenar dhe regji nga Parta Kelmendi, filmi sjell në ekran një histori të ndjeshme të vendosur në periudhën e trazuar të okupimit.
Gjatë 94 minutave, rrëfimi ndjek një vajzë të re që detyrohet të lërë pas jetën e saj urbane në Prishtinë, duke u ballafaquar me realitetin e ashpër të një fshati ku duhet të ndërtojë një ritëm të ri jete. Përmes sfidave personale, marrëdhënieve me familjen dhe përplasjes me rregullat tradicionale, “Era” hap diskutimin për identitetin, lirinë dhe zgjedhjet individuale.

Historia merr një kthesë tjetër me shfaqjen e një djali që ndihmon njerëzit të largohen nga vendi, duke e vendosur protagonisten përballë dilemës së madhe mes qëndresës dhe ikjes.
Filmi prek thellë përvojat njerëzore të asaj kohe, duke nxjerrë në pah dimensionet sociale, kulturore dhe emocionale që formësuan jetën dhe vendimet e një brezi të tërë.
Ndryshe, përveç Opaqiq, pjesë e jurisë ishte edhe Fatos Berisha dhe Jasmina Karajlloviq.
