Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sot do të vizitojë Shqipërinë, dhe bashkë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, do të përurojnë Xhaminë e Namasgjazë, siç njihet Xhamia e Madhe e Tiranës.

Njoftimi është bërë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), i cili e ka konsideruar këtë përurim si “ëndërr të bërë realitet”.

Njoftimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë erdhi pas lajmeve që u përcollën në media se Ministria e Çështjeve Fetare në Turqi e ka caktuar tashmë imamin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.

Sipas mediave, vetë imami i quajtur Enes Bastur, e ka shpërndarë lajmin në rrjetet sociale, por më pas e ka fshirë atë.

Më pas, KMSH-ja shpërndau njoftimin për mediat, ku pranon se xhamia më e madhe në vend, nuk do të administrohet nga ky institucion fetar, por “nga pala tjetër”.

“Presidenti Erdogan dhe kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në ceremoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë, gjithashtu, edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej”, thuhet në njoftimin e KMSH-së, duke lënë të kuptohet që xhamia do të administrohet nga Turqia.

Xhamia e Namazgjasë ndodhet pranë ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë dhe Katedrales katolike ‘Shën Pali”, si dhe përballë Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Ndërtimi i saj nisi në vitin 2015 dhe themeli u vendos nga presidenti turk Erdogan.

Punimet u tha se do të përfundonin për tre vjet, por u deshën rreth nëntë vjet që xhamia të përurohet.