Të paktën katër persona kanë humbur jetën gjatë natës të së hënës në Rripin e Gazës pasi muret u shembën mbi tendat e tyre nga erërat e forta që goditën territorin bregdetar palestinez, kanë bërë të ditur të martën autoritetet spitalore.

Kushtet e rënda të jetesës vazhdojnë në Gazë pas më shumë se dy vjetësh bombardimesh shkatërruese izraelite, dhe mungesës së ndihmave. Armëpushimi vazhdon të jetë në fuqi që nga 10 tetori, por organizatat humanitare thonë se banorët e Gazës, në përgjithësi, nuk kanë strehimin e nevojshëm për t’i përballuar stuhitë e shpeshta dimërore.

Sipas spitalit Shifa, spitali më i madh i Qytetit të Gazës që ka pranuar viktimat, mes të vdekurve janë dy gra, një vajzë dhe një burrë.

Tre prej viktimave janë nga e njëjta familje. Ata kanë humbur jetën kur një mur 8 metra i lartë është shembur mbi tendën e tyre në një zonë bregdetare përgjatë brigjeve të Mesdheut në Qytetin e Gazës, ka bërë të ditur spitali. Të paktën pesë persona të tjerë u lënduan nga shembja.

“Bota na ka lejuar të përjetojmë vdekjen në të gjitha format e saj”, ka thënë Bassel Hamouda pas funeralit të të afërmve të tij. 

E një grua tjetër ka mbetur e vdekur kur një mur ra mbi tendën e saj në pjesën perëndimore të qytetit, ka njoftuar spitali.