Kryeministri Hristijan Mickoski me anëtarë të kabinetit të tij do ta analizojnë gjendjen me çmimin e bukës, e cila në disa qytete të vendit është rritur nga 3 deri në 5 denarë. Mickoski thotë se nëse ka bazë për rritjen do të ketë masa, por nëse konstatohet se ka rritje të pajustifikuar, do të ketë sanksione.

 “Po e analizojmë gjendjen dhe gjatë ditës së sotme do të kem takim për këtë çështje. Do ta shohim inputin dhe të shohim nëse, bazuar në atë input që ata e deklarojnë, vërtet ka nevojë për një rritje të tillë. Nëse ka nevojë, atëherë do të themi po, ka nevojë dhe do të ndërmarrim masa, ndërsa nëse nuk ka nevojë, atëherë ndaj atyre që sillen në mënyrë devijuese dhe jo sipas tregut do të shqiptohen gjoba. Me kë do të keni takim? Me njerëzit nga kabineti im”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Në disa furra buke në Shtip, Koçan, Prilep dhe Manastir, nga sot ka çmime më të larta për disa lloje të bukës. Çmimet e bukës së bardhë prej 450 gramësh, në disa furra, janë rritur nga 3 deri në 5 denarë. Informacionet u konfirmuan edhe nga Grupi i industrisë së mullirit dhe bukëpjekjes pranë Odës Ekonomike, por nga atje thonë se çdo furrë vendos individualisht për çmimet. Sipas tyre, me konfliktin në Lindjen e Mesme kostot janë rritur për mbi 10 për qind.

 “Gjithçka varet nga rezervat që kanë në dispozicion dhe sa ndikojnë furnizimet e reja në çmime. Kështu që do të duhej të rritet për rreth dhjetë për qind e më shumë. Natyrisht, kjo ndikon në këto tre segmente të prodhimit, pra furnizimi, pjekja dhe shpërndarja. Pra, çmimi do të duhej përafërsisht të lëvizë kështu. Por unë nuk mund të them saktësisht sa do të jetë, kjo varet nga kompanitë”, pohoi Goran Malishiq – Industria e Mullirit dhe Bukëpjekjes.

Korrigjimet në rritje të çmimeve të bukës vijnë pas shtrenjtimit të vajit dhe vezëve, si dhe të frutave dhe perimeve. Ekspertët dhe bizneset paralajmëruan se goditja e çmimeve të naftës do të reflektohet në çmimet e të gjitha produkteve, por kryeministri thotë se inflacioni është stabil. Do të pritet njoftimi zyrtar i statistikave javën e ardhshme, dhe vetëm pas kësaj mund të shqyrtohen masa për mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Do të ndiqet edhe çmimi i karburanteve dhe, nëse është e nevojshme, në një seancë të jashtëzakonshme do të vazhdohet gjendja e krizës dhe masa për TVSH të ulet për karburantet. Gjithashtu do të analizohet nëse ka nevojë për ndërhyrje në akcizat. Mickoski pohon gjithashtu se energjia elektrike nuk do të shtrenjtohet.