Aktorja, Monika Lubonja ka reaguar lidhur me videot intime të cilat janë postuar në rrjet. Ajo thekson se nuk ka qenë në dijeni të filmimeve dhe se i është shkelur privatësia nga dikush të cilit i fali disa vite të jetës së saj.
Lubonja shprehet se nuk turpërohet për dashurinë që ka dhënë, por shton se ndihet e tradhtuar që besimi i saj u kthye në armë kundër saj. Aktorja gjithashtu ka kërkuar që të respektohet privatësia e saj dhe të mos bëhen spekulime. Lubonja gjithashtu konfirmon se çështjen ia ka besuar drejtësisë.
“Ju drejtohem sot me dhimbjen e një gruaje së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia por edhe me vendosmërin për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj.
Kërkoj dhe shpresoj të ndalet baltosja ime në emër të një ‘morali kolektiv’. Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zbëhet nga tradhtia e dikujt të cilit i fala disa vite të jetës sime.
Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të rregjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhëne. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje.
Mediave u kërkoj të respektojnë privatësinë time dhe të mos publikojnë apo të spekulojnë me publikime të materialeve intime. Opinionit publik i kërkoj të mos e ktheje dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë.
I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund. Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ja fal askujt që përdori jetën time! Do e ndjek ligjërisht dhe jam e sigurt që e
vërteta do flasë.
Zotit i kërkoj forcë që kjo plagë të mos ma mbush zemrën me urrejtje. Besoj se ai e njeh të vërtetën time dhe pres që drejtësia të bëjë punën e saj”, shkruan ajo.
