Gazetar: Angell Dimovski

Eurobondi i dhjetë, në vlerë totale prej një miliard euro, do të përdoret për rifinancimin e huamarrjeve të mëparshme dhe për mbulimin e deficitit buxhetor. Huamarrja është realizuar përmes dy transhave. Transha e parë prej 500 milionë euro ka afat shlyerje katër vjet dhe normë interesi 3,8 për qind. Transha e dytë, po ashtu prej 500 milionë eurosh, ka afat tetë vjet dhe normë interesi 4,75 për qind.

“Me mjetet e siguruara përmes këtij eurobondi, të parashikuara në Buxhetin për vitin 2026, do të realizohet pagesa në kohë e eurobondit të lëshuar në vitin 2020 në vlerë prej 700 milionë eurosh, si dhe shërbimi i obligimeve të tjera që paguhen gjatë vitit aktual”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska, ministre e Financave.

Vendimi për eurobondin me afat tetëvjeçar ka për qëllim që kthimi i mjeteve të mos bëhet njëherësh në periudhën e ardhshme, por çdo katër vjet nga 500 milionë euro.

“Gjatë marrjes së vendimit, dilema ishte nëse eurobondi të ketë afat katër, tetë apo pesë vjet, pra nëse ndiqej praktika e zakonshme e viteve të kaluara, kur eurobondet kryesisht kishin afate të shkurtra. Kjo, praktikisht, nënkuptonte bartjen e barrës te ndonjë Qeveri e ardhshme, kështu që mua më ra obligimi që çdo vit të paguaj obligime të konsiderueshme”, u shpreh Gordana Dimitrieska Koçoska, ministre e Financave.

Ajo rikujtoi se lëshimi i këtij eurobondi është plotësisht i projektuar dhe i planifikuar në Buxhetin për vitin 2026, si dhe në Strategjinë e rishikuar për menaxhimin e borxhit publik./ Alsat.mk

The post Eurobond 1 miliard euro për rifinancimin e borxhit dhe mbulimin e deficitit buxhetor appeared first on Alsat.