Një valë e re kufizimesh ndaj rrjeteve sociale për fëmijët dhe adoleshentët nisur në Europë, mes shqetësimeve në rritje për ndikimin e platformave digjitale në shëndetin mendor, sigurinë dhe zhvillimin e të miturve.
Nisma të njëpasnjëshme kombëtare dhe diskutime në nivel të Bashkimit Europian po sinjalizojnë një ndryshim të thellë në mënyrën se si kontinenti synon të rregullojë hapësirën online.
Sipas Francesca Pisanu, anëtare në organizatën Eurochild me seli në Bruksel, shtysa kryesore për debatet aktuale erdhi pas vendimit të Australisë për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
“Pika e nisjes ishte padyshim e lidhur me ndalimin e rrjeteve sociale në Australi, sepse kjo e nxiti diskutimin rreth kësaj çështjeje. Ndoshta më parë kjo nuk ishte marrë në konsideratë. Ajo që dimë është se në shtator të vitit 2025 kjo çështje u përmend në fjalimin për Gjendjen e Bashkimit. Ky është fjalimi që Presidentja e Komisionit Europian mban çdo shtator për të përcaktuar prioritetet e Komisionit. Aty pati një referencë të qartë për nevojën që të mbrohen fëmijët, si dhe u tha se algoritmet nuk mund t’i rrisin fëmijët tanë”, u shpreh Francesca Pisanu, anëtare e organizatës “Eurochild”.
Në Bashkimin Europian ekziston tashmë një kuadër ligjor për mbrojtjen e të miturve në mjedisin digjital.
General Data Protection Regulation garanton mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë ato të fëmijëve, ndërsa Digital Services Act, i miratuar në vitin 2022 dhe në fuqi që nga 2024, synon të kufizojë përmbajtjet e paligjshme dhe të dëmshme në platformat e mëdha.
Por sipas Pisanu, shqetësimet shkojnë përtej përmbajtjeve të paligjshme.
“Shqetësimi i parë lidhet padyshim me dizajnin që krijon varësi. Ka shumë studime që tregojnë se këto mekanizma mund të kenë ndikim afatgjatë tek fëmijët. Ka gjithashtu shqetësime për llojin e përmbajtjes ndaj së cilës ekspozohen fëmijët online. Nuk po flas domosdoshmërisht për përmbajtje të paligjshme, por për lloje të tjera përmbajtjesh që gjithsesi mund të jenë të dëmshme për ta”, pohoi Pisanu.
Në këtë kontekst, Komisioni Europian po shqyrton mundësinë e mekanizmave të verifikimit të moshës si element kyç për çdo kufizim të mundshëm.
“E dimë që Komisioni Europian po shqyrton mënyra për të vendosur masa të verifikimit të moshës dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse lidhet drejtpërdrejt me efektivitetin e kufizimeve. Duhet të shohim edhe rezultatet nga Australia. Fatkeqësisht, ende nuk kemi gjetje përfundimtare. Gjithashtu duhet theksuar se ndikimi i këtyre masave nuk do të shihet menjëherë. Po flasim për ndryshime të mëdha shoqërore, ndaj duhet të analizojmë efektet afatgjata. Është e vështirë të thuhet se si do të zbatohej një ndalim i tillë. Verifikimi i moshës është padyshim një komponent kyç. Një legjislacion i fortë për fëmijët që do të vazhdojnë të kenë akses është gjithashtu shumë i rëndësishëm”, tha ndër të tjera Pisanu.
Paralelisht, në Bruksel po diskutohet edhe një iniciativë e re ligjore Digital Fairness Act, e cila synon të kufizojë praktikat e ashtuquajtura “dizajn varësie”, që nxisin përdorim të tepërt të aplikacioneve.
“Bashkimi Europian aktualisht po diskuton Aktin për Drejtësinë Digjitale, i cili ka si qëllim specifik frenimin e dizajnit që krijon varësi. Ende jemi në fazë eksplorimi të këtij legjislacioni, prandaj nuk mund të flasim shumë në detaje. Por ai mund të jetë një instrument shumë i rëndësishëm ligjor. Sigurisht që duhet të mbështetet nga Akti për Shërbimet Digjitale. Dizajni i varesise është një çështje shumë serioze dhe shqetëson shumë shtete anëtare. Ai prek të gjithë, edhe të rriturit, por fëmijët, veçanërisht ata më të cenueshmit janë më të prekurit”, pohoi Francesca Pisanu.
Në plan kombëtar, disa vende europiane kanë ndërmarrë hapa konkretë. Franca ka miratuar në Asamblenë Kombëtare një projektligj për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç.
Spanja ka njoftuar ndalim për të miturit nën 16 vjeç dhe vendosjen e detyrueshme të sistemeve të verifikimit të moshës. Ndërsa Danimarka ka vendosur kufirin 15 vjeç, me mundësi pëlqimi prindëror nga mosha 13 vjeç.
Debati zhvillohet edhe në një klimë tensionesh gjeopolitike, pasi shumica e platformave kryesore sociale janë kompani amerikane. Zbatimi i rregullave të reja dhe gjobat e mundshme, përbëjnë një sfidë politike dhe diplomatike për Brukselin.
Një tjetër shqetësim lidhet me inteligjencën artificiale dhe përhapjen e dezinformimit.
“Inteligjenca artificiale po i amplifikon të gjitha rreziqet që tashmë lidhen me rrjetet sociale. Disa prej tyre kanë të bëjnë me dezinformimin që mund të krijohet përmes AI. E dimë që fëmijët dhe të rinjtë në përgjithësi mbështeten tek rrjetet sociale për t’u informuar. Nëse ata janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj këtyre platformave dhe nuk janë të fuqizuar për të dalluar lajmet e rreme nga ato reale, kjo është një çështje shumë e rëndësishme për t’u marrë në konsideratë”, u shpreh anëtarja e organizatës “Eurochild”, Francesca Pisanu.
Teksa Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare peshojnë kostot dhe përfitimet e një ndalimi të mundshëm, ajo që është shndërruar në prioritet politik është rregullimi i hapësirës digjitale për fëmijët.
Vendimet që do të merren në muajt e ardhshëm pritet të përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e të miturve online, por edhe raportin e Europës me gjigantët globalë të teknologjisë.
The post Europa drejt rregullave më të forta për rrjetet sociale appeared first on Alsat.
