Eva Carneiro shpresonte që historia traumatike e përplasjes me José Mourinhon dhe largimit të saj nga Chelsea të ishte varrosur tashmë në të kaluarën. Por dokumentari i sapo publikuar në “Netflix” për karrierën e trajnerit portugez rikthen edhe atë episod, ndërsa John Terry mbështet versionin e “Special One”.
“11 vite më pas dhe ja ku jemi sërish duke përjetuar më të keqen. Shpresojmë të kenë bërë pak para prej kësaj”, – shkroi Carneiro në “X”. Ngjarja ndodhi më 8 gusht 2015, në ndeshjen Chelsea-Swansea. Në fundin e sfidës, me rezultatin 2-2, Eden Hazard mbeti i dëmtuar.
Arbitri Michael Oliver kërkoi ndërhyrjen mjekësore dhe Carneiro hyri menjëherë në fushë për ta ndihmuar belgun. Hazard u rikthye pa probleme, por Chelsea mbeti përkohësisht me 9 lojtarë. Mourinho reagoi ashpër: “Kur je mjek, duhet ta kuptosh lojën”.
Më pas Carneiro u largua nga detyrat me ekipin e parë dhe në shtator 2015 dha dorëheqjen. Në vitin 2016, çështja ligjore me Chelsea dhe Mourinhon përfundoi me marrëveshje konfidenciale.

Fjalët në dokumentar e bënë Eva Carneiro të “përjetonte sërish më të keqen”, ndaj ajo iu përgjigj edhe John Terry. Ish-kapiteni i Chelsea tha se ishte e ditur mes lojtarëve dhe stafit se Mourinho nuk dëshironte që mjekët të merreshin me lojtarët, përveç rasteve kur dëmtimet dukeshin serioze.
Carneiro reagoi në “X”: “Jemi të detyruar të respektojmë një kod të etikës mjeko-ligjore. Sinqerisht, do të ishte mirë që John Terry të mësonte rregullat e lojës. Është shumë e thjeshtë. Arbitri Michael Oliver na thirri dy herë, lojtari Eden Hazard kërkoi ndihmë mjekësore dhe më pas patëm kontakt vizual nga vija anësore, ku ai konfirmoi dy herë se kishte nevojë për ndihmë. Në atë moment, si profesioniste e mjekësisë, duart e mia ishin të lidhura”.
Sot, në moshën 52-vjeçare, Carneiro vazhdon të punojë si specialiste e mjekësisë sportive në Londër. Ajo është gjithashtu bashkëpronare e “Leë//es FC” dhe ka ofruar konsulencë ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin me spitalin sportiv “Aspetar” në Katar.
The post Eva Carneiro shpresonte që e kaluara me Mourinhon të mos rikthehej më: “Ja ku jemi sërish duke përjetuar më të keqen…” appeared first on Telesport.
