Gazetare: Fatlume Dervishi
Me fluturimin e organizuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe filloi evakuimi i shtetasve maqedonas nga vendet e Lindjes së Mesme, me fluturime çarter komerciale.
Gjithsej 151 pasagjerë mbërritën një ditë më parë. Shumica janë shtetas të vendit, një është nga Mali i Zi, një nga Bosnja dhe Hercegovina, një nga Serbia, dy nga Kosova, dhe katër me shtetësi holandeze.
“I kemi dhënë prioritet kategorisë së qytetarëve të cilët kishin nevojë për evakuim urgjent. Presim që një aeroplan i dytë të martën me një grup tjetër qytetarësh në këtë numër të kthehet në shtet. Fluturimin e tretë e planifikojmë nga mesi i javës, presim akoma të shohim nëse do të rritet interesi që të shfrytëzohet plotësisht potenciali. Përskaj asaj punojmë për evakuimin e qytetarëve nga Bahrejni, Katari dhe Kuvajti,” deklaroi Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm.
“Kishte alarme dhe paralajmërime në celularë. Kishte mbetje të raketave ose dronëve që bien. Në përgjithësi ishte sigurtë por kur është situata e tillë asnjëherë nuk e dini çfarë mund të ndodhë. Ishim me dy fëmijë të vegjël. Nuk ishte vizita e parë por kjo ishte përvojë krejtësisht tjetër,” tha një shtetase e kthyer.
Të dhënat e fundit tregojnë se ambasada në Doha është kontaktuar nga 150 shtetas, nga të cilët 95 shprehën gatishmërinë e tyre për t’u evakuuar. Ambasada në Abu Dhabi u kontaktua nga gjithsej 585 persona që banojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe 36 persona nga Kuvajti, 15 nga Bahreini dhe pesë nga Arabia Saudite. /alsat.mk
The post Evakuimi vazhdon: 151 persona u kthyen në vend, rreth 600 pritet të rikthehen – Mucunski: Ndihmojmë edhe rajonin appeared first on Alsat.
