Pas takimit me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, të realizuar në Ohër, është deklaruar edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, transmeton TV21.

Ai në profilin e tij në Facebook, ka bërë të ditur se në këtë takim kanë “folur për bashkëpunimin bilateral, rajonal dhe integrimin europian”.

Begaj vlerëson se faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, paraqet garanci për progresin e vazhdueshëm të marrëdhënieve Shqipëri-Maqedoni.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë vullnetin për të bashkëpunuar në projekte me vlerë për qytetarët tanë.
Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut është urë lidhëse, i rëndësishëm dhe garanci për progresin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona.
Zhvillimi i projekteve të përbashkëta jo vetëm ekonomike dhe infrastrukturore, por edhe kulturore e sociale është i arritshëm dhe i mirëpritur.
Me forca të përbashkëta drejt progresit!”, shkruan Begaj.

Për takimin është deklaruar edhe presidentja e Maqedonisë, Gordana Siljanovska-Davkova.