Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Familja ngre dyshime për lëshime mjekësore gjatë trajtimit të foshnjës e cila ndërroi jetë vetëm tre ditë pas lindjes në Spitalin Gjinekologjik. Nëna për Alsat, deklaron se shtatzënia ka kaluar pa kurrfarë problemesh. Thotë se mjekët për rreth 40 orë kanë këmbëngulur për lindje natyrale, që më pas të bëhet ndërhyrja cezariane. Pas lindjes, nëna thotë se e ka parë foshnjën dhe është siguruar nga stafi se gjithçka ishte në rregull. Kështu ka vazhduar edhe për dy ditë të tjera. Megjithatë, sipas saj në ditën e tretë, situata ka ndryshuar. Thotë se një mjeke ka paralajmëruar se foshnja mund të ndërronte jetë në çdo moment, pa dhënë shpjegime se përse përnjëherë gjendja e foshnjës u përkeqësua.
“Çka më shtin të dyshoj ditën para kur kam qenë me pa, ja kanë lanë fytyrën ka unë, kur e bënë atëherë intubimin se u kon i fundit në inkubator, fytyrën e ka pas të kthyer ka muri dhe jam shtyrë nga muri për me pa…dhe kur e kam pa e vërej te goja gjak shumë gjak i terur sikur të jetë më herët d.m.th unë kam mëndu deri atë ditë që më kanë telefonu gazetarët se unë jam shkaktar i vdekjes se më thoshin se ke infeksion, infeksioni yt ju ka bartë fëmijës, e ka pi ujin tënd është infektuar pi ujit tënd i ka shkuar në mushkëri, prej mushkërive në tru dhe ka vdek dhe këtë e ka thënë me gojë nuk e ka shkruar kurrkund në letër”, deklalroi Vjosa Iljazi, nëna e foshnjës.
Nëna e foshnjës thotë se lidhur me raportin e autopsisë, të marrë nga Klinika e Gjinekologjisë, është konsultuar me mjekë nga vende të tjera, të cilët, sipas saj, kanë konstatuar se përmbajtja e raportit tregon për gabim mjekësor.
“Kam pas konsultime me mjek tjerë jashtë vendit që jam interesuar. Mendimi i gjithë atyre del me një përfundim që është prej gabimit mjekësor, do të thotë kjo nuk është e thanën prej meje, është e thanën prej mjekëve që unë ia kam tregu autopsinë se qysh është me dokumentacion, d.m.th ata çka kanë parë del si përfundim se kjo ka ardhur krejt prej një gabimi mjekësor që unë si nënë kisha thënë se dikush që është i pandërgjegjshëm dhe i pa përgjegjshëm për këtë punë duhet me u largu prej kësaj pune”, u shpreh Vjosa Iljazi, nëna e foshnjës.
Familja deklaron se nuk do të dorëzohet dhe kërkon hetim të mirëfilltë. Familja kërkon përgjegjësi institucionale dhe një sqarim të plotë për rrethanat që çuan në vdekjen e foshnjës sa porsalindur. /Alsat.mk
The post Familja Iljazi kërkon hetim për zbardhjen e plotë të vdekjes së foshnjës appeared first on Alsat.
