Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Vijon përplasja politike për çështjen e migrantëve. LSDM këmbëngul se kryeministri Mickoski ka arritur një marrëveshje të fshehtë me Mbretërinë e Bashkuar që në qershor që të pranojë migrantë. Filipçe paralajmëron se nëse kjo nuk ndalet, vendi rrezikon të kthehet në një kamp migrantësh dhe të bëhet një njollë e zezë për Evropën.
“Le t’i përdorim të gjitha mekanizmat demokratikë për ta shpëtuar vendin nga tradhtarët VMRO-DOMNE. Ta shpëtojmë vendin nga skenari serb…. Kjo mund ta rrezikojë sistemin tashmë të tronditur dhe të çojë në një situatë në të cilën nuk do të ketë para as për pagat, as për pensionet. Dhe kjo është vetëm një pjesë e asaj që mund të ndodhë… Nuk mund të lejojmë që VMRO-DPMNE ta vë në pikëpyetje sigurinë e qytetarëve tanë”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
VMRO-DPMNE akuzoi Filipçen se ai, megjithëse sot ngre zërin kundër pranimit të migrantëve, vetë ai kishte punuar më herët ndërtimin e një qendre emigrantësh. Partia publikoi dokumente, të cilat sipas tyre dëshmojnë përgatitjen e dokumentacionit shtetëror urbanistik për një qendër pritjeje për të huajt.
“Është e qartë se nuk do të ketë migrantë, por Filipçe paralajmëroi protesta, shpiku një deklaratë dhe një temë artificiale. Dhe derisa e bënë këtë, i gjithë opinioni duhet ta dijë se Venko Filipçe si ministër në qeverinë e Zaevit punoi për të hapur një kamp migrantësh në Bardovcë. Pra, i vetmi politikan aktual që ka punuar për sjelljen e migrantëve në Maqedoni është Venko Filipçe”, tha Mile Llefkov, deputet nga VMRO-DPMNE.
LSDM paralajmëroi dorëzimin e një rezolute në Kuvend dhe nëse e njëjta nuk pranohet, do të bëjnë thirrje për protesta masive me qëllim siç thonë, mbrojtjen e shtetit nga hapja e kampeve për migrantë. Filipçe, alarmoi se marrëveshja mes Maqedonisë dhe Mbretërinë e Bashkuar parashikon që për çdo migrant shteti do të marrë nga 20 mijë paund. /Alsat.mk
The post Filipçe këmbëngul se Mickoski ka marrëveshje të fshehtë për të pranuar migrantë appeared first on Alsat.
