Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe deklaroi se kryeministri Mickoski nuk ka të drejtë ta bllokojë rrugën evropiane të Maqedonisë, duke kërkuar që pushteti të shpallë referendum për të ardhmen europiane të vendit. Sipas tij, VMRO-DPMNE erdhi në pushtet me gënjeshtra dhe po frikëson qytetarët me rrezikimin e gjuhës dhe identitetit, vetëm për të penguar ndryshimet kushtetuese që sipas tij nuk sjellin asnjë rrezik.
“Po i frikëson qytetarët se është e rrezikuar gjuha, identiteti dhe se di çfarë tjetër nga populli maqedonas, me qëllim që mos të bëhet hapi i cili nuk sjell asnjë rrezik dhe ato janë ndryshimet kushtetuese. Kështu që çështjet bilaterale me cilindo vend anëtarë të BE-së nuk janë në asnjë mënyrë pjese e kornizës negociuese. Dhe këtë qytetarët patjetër duhet ta dinë. Çështjet bilaterale zgjidhen në mënyrë bilaterale, dhe se nuk mundet në asnjë mënyrë të ndikojnë dhe ta ndalojnë rrugën evropiane, gjegjësisht hapjen e klasterëve ashtu siç i kanë kaluar të gjitha vendet të cilat janë inkuadruar në BE”, tha Filipçe
Nga VMRO-DPMNE u përgjigj zëdhënësi Valentin Manasi evski, i cili tha se Maqedonia nuk do të zbatojë ndryshime kushtetuese pa garanci të qarta, të forta dhe me shkrim nga BE-ja. Sipas tij, Maqedonia pagoi çmim shumë të shtrenjtë me ndryshimin e emrit kushtetues për shkak të politikave të gabuara të LSDM-së nën drejtimin e Zaevit dhe Filipçes.
“Maqedonia pa garanci nga BE-ja nuk do të zbatojë ndryshime kushtetuese. Filipçe le t’i tregojë “presidentit të tij bullgar” se presim dorëzimin e vendimeve nga Strasburgu. Maqedonia për shkak të besueshmërisë së tepruar dhe politikave të gabuara të LSDM-së, të udhëhequr nga Zoran Zaevi dhe Venko Filipçe, pagoi çmim shumë të shtrenjtë me ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit. Prandaj, këtë herë ndryshime kushtetuese pa garanci të qarta, të forta dhe me shkrim në formë të konkluzioneve nga BE-ja — nuk do të ketë”, tha Manasievski.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2005, njëra nga pritjet më të gjata në historinë e zgjerimit evropian. Por rruga drejt anëtarësimit ka mbetur e bllokuar, kryesisht për shkak të një kushti të vetëm: ndryshimet kushtetuese. Kryeministri Mickoski ka deklaruar qartë se qeveria e tij nuk do të nisë ndryshimet kushtetuese, derisa nuk merr garanci nga BE-ja se më nuk do të ketë kërkesa të reja nga Bullgaria.
