Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Arsimin e Lartë janë katastrofike dhe, në vend që të përmirësojnë cilësinë, vendosin kontroll qeveritar mbi universitetet, totalitarizëm arsimor, diskriminim dhe partiakizim, duke shkatërruar autonominë e universiteteve. Kështu i vlerësoi Venko Filipçe propozimet e qeverisë, duke thënë se ligji nuk mund të përmirësohet as me amendamente. Prandaj ai kërkoi tërheqjen e tij për përpunim të mëtejshëm dhe, nëse dorëzohet në Kuvend, do të kërkojë debat publik.
“Me këto ndryshime të propozuara, pushteti centralizohet brutalisht te ministri, respektivisht te Qeveria, dhe kështu dëmtohet autonomia e universiteteve. Përmes neneve 198, 199 dhe 201, ministri bëhet figura më e fuqishme në arsimin e lartë, me mundësi të shfuqizojë vendime të organeve universitare. Së dyti, diskriminim i të rinjve dhe partiakizim i kuadrove. Ajo që ofron ligji, në njëfarë mënyre, është varr për asistentët e rinj, ndërsa, vëmendje, krijon privilegje për profesorët tashmë të pensionuar”, tha Venko Filipçe.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, nga ana tjetër, vlerësoi se ligji do të sjellë cilësi më të mirë të edukimit akademik dhe do ta përmirësojë pozitën e universiteteve maqedonase në ranglistat globale.
“Pres që universitetet zyrtarisht, përmes çfarëdo rruge, të dërgojnë vërejtjet e tyre të integruara, pasi disa prej tyre përsëriten. Çdo gjë që e konsiderojmë të arsyeshme do të pranohet, ndërsa ato që mendojmë se mund të paraqesin problem do të diskutohen”, deklaroi Vesna Janevska.
Nga sot, Ministria e Arsimit nis vizita në universitetet e vendit në kuadër të debatit publik për zgjidhjen e re ligjore. Janevska paralajmëroi se gjatë këtyre vizitave do të ketë bisedime edhe me profesorët dhe stafin akademik, ku do të diskutohen nenet kontestuese të ligjit.
