Do të ketë krizë shumë serioze në vend vitin e ardhshëm; ky vit ishte i vështirë, por 2026-ta do të jetë edhe më e vështirë, paralajmëroi kryetari i opozitës LSDM, Venko Filipçe, gjatë një brifingu me gazetarët. Pavarësisht nivelit të borxhit, ai tha se Qeveria planifikon marrjen e borxhit të ri, do të ketë rritje të çmimeve dhe stagnim të pagave, gjë që do të bëjë që qytetarët të jetojnë edhe më varfër.

“Mendoj se do të jetë një vit krize; do të pasojë një vit në të cilin do të duhet të marrim borxh të paktën edhe 2 miliardë euro, dhe këto borxhe do të jenë për shpenzime rrjedhëse, jo për investime kapitale. Inflacioni vështirë se do të kontrollohet; me shtrenjtimin e energjisë elektrike gjithçka do të shtrenjtohet”, potencoi Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Opozita po krijon frikë dhe pasiguri te qytetarët në mungesë të një plani dhe ideve, u përgjigj kryeministri Hristijan Mickoski. Ai konfirmoi se do të merret borxh i ri, por se ai do të përdoret për shlyerjen e euroobligacioneve të marra nga qeveria e mëparshme.

“Kjo është e saktë, sepse e kam thënë tashmë: shteti duhet të kthejë, bashkë me deficitin buxhetor, diku mbi 2 miliardë euro, afërsisht 2.2 miliardë euro. Sa i përket strukturës, 700 milionë euro janë euroobligacion i marrë nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së në vitin 2022, me afat katërvjeçar dhe normë interesi 7.5 për qind. Po ashtu maturojnë edhe kredi të tjera që qeveria e LSDM-së dhe BDI-së i ka marrë më herët; me fjalë të tjera, mbi 2 miliardë euro duhet të kthehen”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Mickoski shtoi gjithashtu se do të ketë euroobligacione për t’u shlyer edhe në vitin 2027, në vlerë prej 500 milionë eurosh, si dhe në vitin 2028 në vlerë prej 700 milionë eurosh.