Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kërkoi nga kryeministri Hristijan Mickoski që menjëherë të ndërmerren masa për të zbutur goditjen e çmimeve për qytetarët. Ai tha se, ndonëse LSDM ka apeluar që Qeveria të marrë masa në kohë për të ndalur spiralen e çmimeve, megjithatë asgjë nuk është bërë.
“Tani refuzuat edhe propozim-ligjin që dorëzuam, që ka të bëjë me masa për qytetarët, sepse atyre u nevojitet ndihmë e drejtpërdrejtë financiare, ndërsa masat aktuale të Qeverisë nuk ndihen nga qytetarët”, tha Filipçe.
“Pse nuk i pranoni masat që realisht do të japin efekt? Ja, tani kishim një propozim-ligj. A planifikoni tani, jo pas festave të Pashkëve – qytetarëve u duhen masa tani, nuk dihet si do të zhvillohet kriza pas Pashkëve. Masa të targetuara për grupe të caktuara qytetarësh që do të nënkuptojnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare”, tha Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
“Masat tuaja nga e kaluara po i paguajmë sot, siç është tatimi solidar dhe huamarrjet e tjera”, u përgjigj kryeministri Mickoski, duke theksuar se megjithatë masat e Qeverisë po japin efekt.
“Pikërisht masa që ndërmori Qeveria, ulja e TVSH-së nga 18 në 10 për qind, si dhe mundësia që Komisioni Rregullator të ulë akcizat për naftën dhe benzinën pa plumb, kontribuan që në nivel mujor të kemi një nga normat më të ulëta të inflacionit. Ne sot si Qeveri po i kthejmë borxhet që ju i keni krijuar. Këto nga tatimi solidar janë vetëm një pjesë – kemi 900 milionë euro që duhet t’i emetojmë si obligacione nga koha juaj, si dhe 700 milionë euro obligacione gjithashtu nga koha juaj”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Grupi parlamentar i LSDM-së, para fillimit të pyetjeve parlamentare, dorëzoi propozim-ligj për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 5%, me qëllim mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve dhe zbutjen e presioneve inflacioniste, por ai nuk u pranua.
