Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe gjatë vizitës së tij në Bruksel ku janë takuar partitë simotra socialdemokrate nga rajoni ka biseduar për integrimin në BE si proces kyç për stabilizimin dhe përparimin e vendeve të rajonit, transmeton TV21.
Filipçe në rrjetin social Facebook shkruan se rajoni meriton integrimin në BE dhe standarde më të mira jetese. Tutje thekson se forcimi i bashkëpunimit rajonal është shumë i rëndësishëm për përparimin ekonomik dhe stabilitetin e vendeve. Ndërkaq, gjatë takimeve në Bruksel, Filipçe është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
“Qytetarët e vendeve tona meritojnë integrimin në BE, jo izolimin, standarde më të mira jetese, arsim, kujdes shëndetësor, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit.
Ne, partitë simotra socialdemokrate të rajonit, duhet të bashkëpunojmë me njëra-tjetrën për të arritur synimin për një të ardhme më të mirë. Prandaj është i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit rajonal, për përparimin ekonomik dhe stabilitetin e vendeve.
Ne si socialdemokratë evropianë duhet të bashkohemi për zgjerimin e BE-së dhe në këtë proces duhet të ndihmojnë edhe socialdemokratët evropianë”, thotë Filipçe.
