Gazetare: Melihate Rustemi

Filloristët po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në telefonat celularë. 36 për qind e nxënësve të klasës së katërt dhe 63 për qind e nxënësve të klasës së tetë përdorin telefonin për disa orë në ditë. Drejtuesi i Institutit për Hulumtime Sociologjike, Petar Atanasov thotë se 24 % e nxënësve të klasës së tetë kalojnë pothuajse gjithë ditën në telefon. Shqetësuese mbetet përqindja e ulët për leximin e librave, 31 për qind e nxënësve më të vegjël dhe vetëm 6 për qind e atyre më të rritur lexojnë rregullisht.

“Në pyetjen se çfarë bëjnë më shpesh gjatë ditës, nxënësit e klasave të katërta thonë në 43% të rasteve se shohin përmbajtje video. Nxënësit e klasave të teta shohin përmbajtje video në 62% të rasteve. Pra, 62% e 1.288 nxënësve që kemi anketuar kalojnë kohën ose shohin ekskluzivisht përmbajtje video. Fëmijët e klasave të katërta, për të njëjtën pyetje, thonë se në 31% të kohës lexojnë libra. A e dini se sa për qind e nxënësve të klasave të teta lexojnë libra? Vetëm 6%. Fëmijët nga klasa e katërt deri në të tetën pothuajse ndalojnë së lexuari libra”, tha Petar Atanasov, Instituti I Sociologjisë.

Këto të dhëna u publikuan në forumin “E ardhmja e punës në epokën e inteligjencës artificiale”, ku u diskutua ndikimi i teknologjisë në arsim dhe tregun e punës. Ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski, apeloi që inteligjenca artificiale të shihet si një mjet në shërbim të njeriut, dhe jo si kërcënim.

“Ta shohim si një mjet që kërkon njohuri, vlera, vizion dhe bashkëpunim. Të ndërtojmë një të ardhme digjitale që nuk e përjashton njeriun, por e fuqizon atë dhe nuk krijon frikë, por mundësi. Inteligjenca artificiale duhet t’i shërbejë njeriut, jo njeriu teknologjisë. Prandaj, kur flasim për të ardhmen e punës, nuk duhet të flasim vetëm për automatizim, por për aftësi, arsim, rikualifikim, mundësi të barabarta dhe përgatitjen tonë institucionale”, deklaroi Stefan Andonovski, ministër për transformim digjital

Nga universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” theksuan se inteligjenca artificiale tashmë është realitet dhe po ndikon në të gjitha fushat e jetës, nga arsimi deri te biznesi. Sipas prorektores Sonja Topuzovska, ndryshimet kërkojnë përshtatje të vazhdueshme të sistemit arsimor dhe zhvillim të aftësive të reja./Alsat.mk.

The post Filloristët po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në telefonat celularë appeared first on Alsat.