
Studiuesi dhe publicisti Sevdail Demiri nga Kumanova sot fitoi çmimin shtetëror “22 Nëntori” që e ndan Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Ai këtë çmim e pranoi nga kryetari I Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
Studiuesi Demiri çmimin ia dedikoi nënës së tij të ndjerë, teksa theksoi se dinjiteti i saj ka qenë frymëzim i punës së tij.
“Sot isha shumë i nderuar të pranoj Çmimin e lartë shtetëror “22 NËNTORI”, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe – gurthemel i identitetit dhe vetëdijes sonë kombëtare!
Kjo mirënjohje vjen si kurorëzim i një pune të pandalshme gati tridekadëshe në sferën publike, në kulturë, shkencë e publicistikë.
Këtë çmim ia dedikoj nënës sime të ndjerë, e cila, pa fajin e saj, bashkë me familjen ishte v iktimë e sistemit të kaluar, duke vuajtur që në fëmijërinë e hershme nëpër kampet e internimit. Qëndresa dhe dinjiteti i saj kanë qenë gjithmonë frymëzim i jetës dhe punës sime.
Por ky çmim i takon edhe kolegëve, miqve, familjarëve dhe secilit person, që në një formë apo tjetër, ka qenë pjesë e suksesit tim. U jam mirënjohës përjetë, të gjithëve!
Faleminderit!”, ka deklaruar prof. dr. Demiri.
Çmimi “22 Nëntori” jepet si mirënjohjen për figura nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive, kulturave dhe feve të ndryshme.
