Atalanta ka siguruar një fitore bindëse në shtëpi ndaj Juventusit, duke triumfuar me rezultat 3–0 dhe duke prerë biletën për në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.
Megjithëse Juventusi u shfaq më dominues në posedim dhe krijoi më shumë raste në pjesën më të madhe të ndeshjes, ishin vendasit ata që treguan efikasitet maksimal para portës.
“Zonja e Vjetër” e nisi ndeshjen fuqishëm, duke rrezikuar përmes Francisco Conceiçãos dhe Manuel Locatellit, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara.
Momenti kyç i pjesës së parë erdhi në minutën e 27-të, kur Bremer preku topin me dorë brenda zonës. Gjyqtari akordoi penallti, të cilën Gianluca Scamacca e shndërroi me saktësi në gol për epërsinë e Atalantas.
Juventusi ishte sërish pranë barazimit përmes Weston McKennie, por goditja e amerikanit përfundoi pranë shtyllës së djathtë.
Në momentet kur mysafirët po kërkonin me ngulm golin e barazimit, Atalanta ndëshkoi me një kundërsulm të shpejtë. Kamaldeen Sulemana shënoi nga afërsia në minutën e 77-të, duke dyfishuar epërsinë e vendasve.
Fitoren e thellë e vulosi Mario Pašalić, i cili realizoi një gol të bukur nga distanca në minutën e 85-të.
Vlen të theksohet se sulmuesi kosovar Edon Zhegrova u inkuadrua në lojë në minutën e 80-të.
Me këtë fitore, Atalanta avancon në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, ku do të përballet me fituesin e çerekfinales mes Bolognës dhe Lazios.
