Në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë, pasditen e sotme u zhvilluan dy ndeshje nga xhiroja e 12-të.
Të dyja ndeshjet u luajtën në Shkup dhe përfunduan me fitore të mysafirëve. Në Gjorçe Petrov, skuadra e Struga Trim Lum mposhti Makedonija Gjorçe Petrovin me rezultat 0–2. Riçi në minutën e 32-të dhe Kompaore nga penalltia në të 82-tën shënuan golat për struganët.
Me këto tri pikë dhe gjithsej 29, Struga doli në krye të tabelës, para Vardarit që nesër luan në Manastir. Në fushën pranë FFM-së, ekipi i Tikveshit me të njëjtin rezultat (0–2) e mundi Rabotniçkin. Mysafirët nga Kavadari i shënuan golat në pjesën e dytë, duke siguruar vetëm fitoren e tretë kampionale. Për Rabotniçkin, që renditet i parafundit në tabelë, kjo ishte disfata e shtatë. Nesër, përveç derbit Pelisteri-Vardari që nis në orën 17:00, do të zhvillohet edhe ndeshja Brera-Sileks./TV21

