Gazetar: Miki Trajkovski

Gjykata e Strugës ende nuk ka marrë vendim për kreun e Komunës së Strugës, Mendi Qyra dhe Komunën për mosvendosjen e flamurit shtetëror në festimet për 28 Nëntorin.

“Lënda është në procedurë të rregullt. Atë e udhëheq gjyqtarja Jasna Partallkovska. Ende nuk ka asnjë vendim. Lënda do të procedohet shpejt, pasi ka interes nga publiku”, tha Gjykata Themelore Strugë.

U përpoqëm të merrnim përgjigje edhe nga Partallkovska se deri ku ka arritur procedura, por nuk iu përgjigj thirrjeve tona. Më herët, për Alsat, ajo pati deklaruar se sapo ta shqyrtojë lëndën dhe provat e dorëzuara, dhe nëse plotësohen kushtet për këtë, do të caktohet seancë gjyqësore shtesë.

Në fillim të dhjetorit, Gjykata në Strugë e pranoi kërkesën e stacionit policor të Strugës për inicimin e procedurës kundërvajtëse ndaj kryetarit dhe Komunës së Strugës. Nëse Gjykata konstaton fajësi, sipas ligjit Komuna e Strugës mund të gjobitet nga 30.000 deri në 200.000 denarë, ndërsa Mendi Qyra nga 10.000 deri në 30.000 denarë.

Përpara se të ndodhin këto zhvillime pati përplasje politike. Kryeministrit Mickoski e qortoi Qyrën për mosvendosjen e flamurit shtetëror. Ndërsa kreu i Strugës Mendi Qyra pati deklaruar se deklarata e kryeministrit nuk prish raportet.

Megjithatë mosmarrëveshjet mes palëve janë mëse evidente, pasi VMRO-DPMNE, kryetari i komunës Qyra dhe VLEN-i nuk po arrijnë të merren vesh rreth zgjedhjes së kryetarit të Këshillit të Strugës, gjë që po e bllokon punën e pushtetit lokal./ Alsat.mk

The post Flamuri/ Gjykata e Strugës akoma nuk ka vendosur për lëndën ndaj Mendi Qyrës appeared first on Alsat.