Në Vlorë më në fund po gjejnë rrugën e duhur, sepse pas një fillimi tepër zhgënjyes të sezonit, në javët e fundit ka pasur përmirësim të dukshëm dhe fitorja në Rrogozhinë ishte sinjali i kthesës së madhe që presin tek Flamurtari.

Edhe në Rrogozhinë ra në sy pjesëmarrja masive e tifozerisë kuqezi, me grupimin e njohur të ultrasve Flota Kuqezi që dominonte në stadium. Mbështetje pa kushte për lojtarët, kore edhe për Edlir Tetovën që ka pasur probleme shëndetësore ditët e fundit, por gjithashtu ra në sy një kor kundër Artim Pollozhanit.

Drejtori sportiv i Flamurtarit është kthyer në “non grata” për Flotën, që ka disa javë që kërkon largimin e tij. Zanafilla qëndron pikërisht tek fillimi i dobët i sezonit. Flota pas disa humbjesh rresht pati kritika për të gjithë, diçka e natyrshme duke parë shpenzimet për ndërtimin e një ekipi goxha ambicioz në letër, por jo në fushë.

Pollozhani doli kundër ultrasve, duke mos i pranuar kritikat dhe vërshëllimat e tyre, edhe pas humbjeve tepër zhgënjyese, mbi të gjitha me lojë të dobët. Ultrasit vlonjatë e kanë ndjekur ekipin kudo dhe e kanë mbështetur, por edhe për tifozët durimi ka kufi. Lufta me Pollozhanin nuk ndalet dhe vështirë se Sinan Idrizi del kundër tifozerisë vlonjate.

The post Flamurtari nis ngjitjen, por tifozeria besnike “Flota” kërkon largimin e drejtorit Pollozhani appeared first on Telesport.