Hansi Flick foli këtë të premte në prag të ndeshjes së nesërme kundër Girona në Montjuïc. Trajneri gjerman konfirmoi rikthimin e Lamine Yamal dhe Fermín López, mbrojti profesionalizmin e Lewandowskit, kritikoi idenë e ndeshjes kundër Villarreal në Miami dhe reagoi ashpër ndaj thashethemeve se klubi e detyroi të aktivizonte Yamal kundër PSG-së, pavarësisht se kishte mbërritur me vonesë.

Ndeshja – “Girona bëri një sezon fantastik, të kaluarin. Më pëlqen shumë filozofia e trajnerit të tyre. Nuk e nisën mirë këtë sezon, por janë përmirësuar në tri ndeshjet e fundit. Edhe pse kanë mungesa, ne duhet ta fillojmë mirë, ndryshe nga Sevilla, ku nuk ishim në nivelin tonë. Dua të luajmë në maksimum”.

Flick shtoi se do të duhet ta menaxhojë rikthimin e Yamal dhe Fermín: “Nuk mund të luajnë 90 minuta, do ta menaxhojmë. Nëse jemi në formën më të mirë, mund të fitojmë ndaj kujtdo”.

Lëndimet – “Na kanë munguar disa lojtarë në sulm. Sapo kthehen, nuk mund të luajnë menjëherë gjithë ndeshjen. Mund të përdorim lojtarë nga ‘La Masia’, do të shohim”.

Lewandowski – “Robert më tha se pas pjesës së parë luajti me fashë, por nuk ndjeu dhimbje. Ai kujdeset shumë për trupin e tij, si Cristiano Ronaldo. Është shumë profesionist. Nuk ka problem serioz”.

Formacioni – “Frenkie de Jong ka pushuar disa ditë, Pedri më pak, por është në formë të mirë. Do t’i ruajmë, sepse janë lojtarë të nivelit botëror”.

Mbi thashethemet për Yamal: “Më pëlqen të di nga ka dalë ky thashethem. Është një mashtrim total. Me Deco dhe stafin kam marrëdhënie të shkëlqyera. Askush nuk më ka detyruar të aktivizoj askënd. Kush e ka thënë, ka gënjyer”.

Raphinha – “Shpresojmë të rikthehet për ‘El Clásico’, po ecën mirë me rikuperimin”.

Jeta personale e Yamal – “Për mua ka rëndësi që kur është këtu, të punojë fort. Kjo është ajo që kërkoj. Çfarë bën në kohën e lirë është jeta e tij private, nuk ndërhyj”.

The post Flick: Është budallallëk të thuhet se klubi më detyroi ta aktivizoja Yamal kundër PSG-së appeared first on Telesport.