Barcelona synon t’i kthehet fitores në Champions League në prag të ndeshjes në transfertë kundër Sabah. Gjatë konferencës për shtyp, trajneri Hansi Flick mbrojti paraqitjet e Frenkie de Jong, duke folur me superlativa për mesfushorin holandez.
Mesfushori holandez po fiton gradualisht më shumë hapësirë në lojë pas problemeve fizike që i kanë penguar ecurinë. “Ajo që më pëlqen më shumë tek ai është fakti se, në të kaluarën, më ka thënë që nëse do të kisha nevojë që ai të luante si mbrojtës qendror ose në ndonjë pozicion tjetër, mund të mbështetesha tek ai”, tha Flick.
“Për mua, kjo tregon se bëhet fjalë për një lojtar që e vendos ekipin mbi çdo gjë tjetër. Frenkie është një nga mesfushorët më të mirë në botë, ai sjell cilësi të lartë në mesfushë dhe ne kemi nevojë për të“, shtoi trajneri gjerman.
Flick konfirmoi mungesën e Lamine Yamal. “Kemi luajtur edhe herë të tjera pa të. Vendosëm se ishte më mirë që ai të qëndronte në shtëpi për t’u rikuperuar dhe shpresojmë që të kthehet në skuadër sa më shpejt të jetë e mundur,” deklaroi Flick.
“Sabah është një ekip që pëlqen të luajë futboll. Janë të guximshëm kur e nisin aksionin nga mbrojtja. E kemi analizuar qasjen e tyre dhe besoj se mund të luanin edhe në La Liga spanjolle, pasi kanë një filozofi shumë interesante“, u shpreh trajneri i Barça.
Ai la të hapur mundësinë për rotacion në skuadër, duke pasur parasysh kalendarin veçanërisht të ngjeshur nga tani e deri në fund të vitit. Megjithatë, objektivi kryesor mbetet qasja ndaj kësaj ndeshjeje në transfertë me nivelin e duhur të intensitetit.
The post Flick konfirmon mungesën e Yamal: Kemi luajtur edhe herë të tjera pa të, De Jong një nga më të mirët në botë appeared first on Telesport.
