“Ndjej se vitin tjetër do të duhet të punojmë edhe më shumë për të fituar më shumë trofe. Unë dua më shumë tituj. Ideja jonë është që mund të përmirësohemi, të rritemi akoma”. Këto kanë qenë fjalët e Hansi Flick pas humbjes pa rëndësi të Barcelonës ndaj Villarrealit. Me titullin e La Liga-s tashmë të siguruar, Barcelona po përqendrohet te sfidat e sezonit të ardhshëm dhe trajneri gjerman shpreson që merkatoja do t’i vijë në ndihmë.
Joan Laporta dhe Deco pritet të kenë më shumë hapësirë veprimi këtë verë, kryesisht sepse puna e bërë gjatë viteve të fundit ka lejuar klubin të përmbushë kriteret e “fair play financiar” të La Liga-s. Federata i ka zbutur disi kufizimet dhe do t’u japë më shumë liri klubeve spanjolle për t’u përforcuar, pra edhe shpenzuar.
Kohët e fundit janë përmendur emra si Luis Diaz (Liverpool), Marcus Rashford (Manchester United, i huazuar tek Aston Villa), dhe Emiliano Martinez (Aston Villa), por përpara blerjeve, Barcelona duhet të mbyllë disa largime.
Sipas “Relevo”, mund të largohen deri në gjashtë lojtarë:
Ansu Fati është kandidati kryesor, sepse nuk bën pjesë në planet e klubit, as të Hansi Flick. Këtë herë pritet të pranojë largimin.
Pablo Torre, i përdorur pak nga tekniku gjerman, mund të shitet me klauzolë rikthimi.
Andreas Christensen ka pasur shumë probleme fizike dhe ka humbur vendin në formacion.
Pastaj janë tre lojtarë të rëndësishëm për Flick, por që kanë marrë oferta konkrete: Ronald Araujo, Eric Garcia dhe Fermin Lopez.
Veçanërisht Fermin Lopez, i cili tashmë ka refuzuar oferta nga Arabia Saudite, por është në shënjestër të disa klubeve të mëdha angleze.
The post Flick: “Për të fituar më shumë, duhet të punojmë më shumë”. Së pari largimet, Barça mendon për merkaton appeared first on Telesport.
