Barcelona u mposht të martën mbrëma 3-1 nga Borussia Dortmundi në Gjermani, rezultat që vjen pas fitores 4-0 në ndeshjen e parë dhe ndoshta u ndikua nga një qetësi e tepërt, por e kuptueshme. Humbja bën të reflektojnë Yamal dhe shokët e tij, por nuk errëson arritjen e madhe të katalanasve, të cilët pas një periudhe të gjatë janë kthyer në gjysmëfinalet e Champions League.
Pak i ekspozuar mediatikisht, Hansi Flick shënon kështu një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e tij. Statistikat tregojnë se edhe te Barcelona, trajneri gjerman ka atë ndikim që pak njerëz e kishin parashikuar. Me transfertën e fundit gjermane, Flick, kampion Europe me Bayern Munich më 2021 dhe kampion bote me Gjermaninë më 2014, ka arritur 50 ndeshje në pankinën e Barcelonës.
Bilanci: 37 fitore, 6 barazime dhe 7 humbje, me skuadrën e tij që është në gjysmëfinale të Champions League, në vendin e parë të La Liga-s dhe në finalen e Kupës së Mbretit.
Me një fitore ndaj Dortmundit, Flick do të ishte barazuar me Pep Guardiolën dhe Gerardo Martinon, të cilët kishin 37 fitore, 8 barazime dhe 5 humbje në 50 ndeshjet e tyre të para me Barcelonën.
Luis Enrique, aktualisht te Paris Saint-Germain, mban rekordin për startin më të mirë me Barcelonën pas 50 ndeshjesh: 42 fitore. Flick, ndërkohë, lë pas emra si Rijkaard (28 fitore), Koeman (33) dhe Xavi (28). Ernesto Valverde, tani tek Athletic Bilbao, është ai që ka pësuar më pak humbje në 50 ndeshjet e para si trajner i Barcelonës: vetëm 3.
Ja deklarata e Flick pas humbjes 3-1 në fushën e Borussia Dortmundit: “Nuk ishte dita jonë më e mirë, por në fund u kualifikuam në gjysmëfinalet dhe ky ishte qëllimi ynë. Arritja e gjysmëfinales është shumë e rëndësishme për tifozët tanë dhe për klubin. Gjysmëfinalja e parë që nga viti 2019? Një arritje fantastike. E di sa e fortë është Borussia Dortmundi dhe këtë e tregoi. Kaluam momente të vështira për pak, por ia dolëm”.
The post Flick sheh lart… Në 50 ndeshjet e para me Barcelonën, statistikat e tij janë si të Guardiolës appeared first on Telesport.