KF Shkëndija ka zyrtarizuar rikthimin e mesfushorit Florent Ramadani, i cili ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin tetovar, përcjell TV21. Ramadani, 25 vjeç, i formuar në akademinë e Shkëndijës, rikthehet pas gjashtë muajsh, pasi në janar u transferua te Drita e Gjilanit, me të cilën fitoi titullin kampion në Kosovë. Sipas klubit, mesfushori do t’i bashkohet menjëherë ekipit dhe do të zhvillojë stërvitjen e parë nën drejtimin e trajnerit Artim Pollozhani.

“Florent Ramadani do të paraqitet që pasditen e sotme në stërvitje për herë të parë nën urdhrat e trajnerit Artim Pollozhani.Të gjithë në KF Shkëndija i urojmë Florent Ramadanit rikthim të mbarë në familjen kuqezi dhe shumë suksese në realizimin e objektivave tona të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e KF Shkëndija.