Edhe pse sot mbetet ende një ditë e plotë për stërvitje dhe përgatitje, duket se vendimi i Paulo Fonseca, i marrë menjëherë pas ndeshjes kundër Crvena Zvezda, është konfirmuar: Theo Hernandez do ta fillojë nga stoli kundër Genoa.

Ky nuk është një ndëshkim apo çështje personale, por zgjedhje e bërë për të mirën e Milanit dhe vetë lojtarit. Këtë e ka bërë të qartë trajneri portugez gjatë një diskutimi ballë për ballë me Theo në Milanello, qëndrim i mbështetur edhe nga drejtuesit e klubit.

Një qasje e ngjashme funksionoi për Rafael Leao më parë; a mund të funksionojë edhe për Theo? Kjo mbetet për t’u parë, pasi karakteret e tyre janë shumë të ndryshme dhe Theo shpesh ka vuajtur psikologjikisht kur nuk ka luajtur titullar.

Diskutimet për një largim të mundshëm të Theo në janar janë rikthyer në qendër të vëmendjes. Disa besojnë se ai mund të largohet, por gjetja e një zëvendësuesi për një lojtar të kalibrit të tij nuk është aspak e lehtë. Pavarësisht kësaj, mbetet edhe një pjesë e madhe e sezonit për t’u luajtur, ndaj Theo nuk mund të heqë dorë kaq lehtë.

Zëvendësuesi natyral për Theo, sipas praktikës së Fonseca deri tani, ka qenë Terracciano, i cili ka luajtur në 4 ndeshje kur francezi nuk ka nisur titullar. Megjithatë, performancat e tij nuk kanë qenë të jashtëzakonshme. Një tjetër opsion mund të jetë promovimi i një lojtari nga ekipet e të rinjve.

Trajneri portugez, pas Champions-it, përmendi mundësinë e përfshirjes së disa lojtarëve nga skuadra e “Milan Futuro” në ekipin e parë. Në këtë kontekst, duhet pasur kujdes për emrat si Jimenez (i cili ka qenë titullar në Kupën e Italisë sezonin e kaluar me Piolin) dhe Bartesaghi (me 10 paraqitje në ekipin e parë, por asnjë si titullar).

Në fund të fundit, nëse një talent si Camarda ka filluar të gjejë më shumë hapësirë dhe mund të ketë sërish kundër Genoa, përse të mos zgjerohet ky “eksperiment” edhe në mbrojtje?

The post Fonseca i bën realitet kërcënimet, Theo Hernandez ulet në stol kundër Genoa appeared first on Telesport.