Qendra për Menaxhim me Kriza ka dalë me njoftim për zjarrin në Liqenin e Smilkovës, transmeton TV21.
Thonë se intervenohet me 7 automjete dhe 16 zjarrfikës, por se era e vështirëson lokalizimin e zjarrit.
“Aktualisht po ndërhyjnë 5 automjete zjarrfikëse nga Qyteti i Shkupit dhe 2 automjete speciale intervenuese nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Era që fryn po e vështirëson lokalizimin e zjarrit.
Në vendin e ngjarjes janë të pranishëm 16 zjarrfikës”, thonë nga QMK.
Të pyetur nga TV21 se a ka të arrestuar për zjarrin, meqë dyshohet se është i qëllimshëm, nga QMK me përgjigje:
“Po, ka informacione që zjarri është i qëllimshëm. Sa për të arrestuar, pyetjen drejtojeni te MPB”.
Nga ana tjetër, kryetari i Butelit tha se ka dëshmitarë që thonë se zjarri është i qëllimshëm dhe se të njëjtit kanë dhënë deklaratë para policisë.
Por TV21 ka pyetur edhe në MPB, nga atje ende pa përgjigje.
Nga ana tjetër shumë qytetarëve iu është ndaluar qarkullimi në autostradën prej Butelit, Hasanbegut dhe Haraçinës. Qytetarë të shumtë raportojnë se forca të shumta të policisë janë parë duke qarkulluar në këtë pjesë të kësaj autostrade. Se a po kërkohen të dyshuarit apo tashmë ka të arrestuar, jemi në pritje të përgjigjes nga MPB.
