Cili është Milani i vërtetë? Ai agresiv, i përqendruar dhe herë pas here spektakolar i derbit, apo ai pa dëshirë, i shkëputur dhe steril që u shfaq kundër Ferencváros? Me shumë gjasë, Milani është të dyja. Ekipi duket i dënuar, edhe për shkak të kufizimeve strukturore, të alternojë paraqitjet pozitive me ato zhgënjyese. Kështu nuk shkohet larg, sepse ambicia nuk mund të ekzistojë pa vazhdimësi.

6 ndeshjet e fundit kanë sjellë një alternim të vazhdueshëm fitoresh dhe humbjesh. Në 5 raste kur ka qenë në disavantazh, Milani ka arritur ta përmbysë rezultatin vetëm një herë. Një tregues i qartë i vështirësive për të reaguar.

Situata në “Europa League” është ndërlikuar ndjeshëm. Kualifikimi direkt në fazën e dytë duket pothuajse një ëndërr, por edhe pjesëmarrja në “play-off” është në rrezik. Aktualisht, Milani do të ishte jashtë garës. Në kalendar e presin transferta e vështirë ndaj Olympiacos dhe ndeshja në shtëpi kundër Sunderland, përpara dy sfidave më të lehta.

Milani i versionit të mirë nuk do ta kishte problem të përfundonte mes 24 skuadrave të para, ndërsa versioni i dobët rrezikon të dështojë. Duhet parë gjithashtu se sa rëndësi i kushton realisht “Europa League”. Mungesat dhe një organikë jo shumë e gjerë janë rrethana që duhen marrë në konsideratë, por zgjedhjet e Amorim treguan qartë se transferta e së dielës në Genoa konsiderohej më e rëndësishme.

Megjithatë, me zgjedhje të tilla nuk bëhet përpara. Milani ka zhvilluar 3 paraqitje turpëruese në 4 ndeshjet europiane. Një kupë ndërkombëtare nuk mund të trajtohet si miqësore në mesjavë.

Zgjedhje të diskutueshme
Ndeshja ndaj Ferencváros, një kundërshtar shumë i mirë, u interpretua krejtësisht gabim: qasje e dobët, formacion i pakuptimtë, përtej mungesave që nuk mund të justifikojnë mediokritetin absolut, dhe mungesë totale intensiteti. Dukej sikur lojtarët ende nuk e kishin marrë veten nga festimet e derbit.

Amorim zgjodhi skemën 4-2-3-1, duke i besuar Jasharit organizimin e lojës dhe Hutchinson e Cissé detyrën për të çoroditur mbrojtjen e kujdesshme hungareze. Sidoqoftë mungonte harku për t’i gjuajtur shigjetat…

Jashari konfirmoi një mungesë shqetësuese personaliteti. Kundërshtari e markoi ngushtë dhe kjo mjaftoi që shqiptaro-zvicerani të kufizohej në një lojë të zakonshme, madje edhe të dobët. Përveç disa rrotullimeve rreth vetes dhe një serie pasimesh horizontale të padobishme, ai nuk tregoi asgjë.

Një tjetër problem në ndërtimin e lojës ishte pozicionimi shumë i avancuar i Rabiot, i cili afrohej drejt gjysmësfushës kundërshtare dhe neutralizohej lehtësisht. Ndryshe nga derbi, ai merrte topin me shpinë nga porta dhe pothuajse gjithmonë pasonte prapa. Cilësia e Rabiot qëndron te kontributi në të dyja fazat, nga njëra zonë te tjetra. Lëvizshmëria është thelbësore për të nxjerrë në pah aftësitë e tij, por këtë herë skema e Amorim e kufizoi.

Rezultati i këtij qarkullimi monoton dhe të parashikueshëm u pa në gjysmëorën e parë të Ramos: vetëm tri prekje topi, po, vetëm tri, pavarësisht se Milani zotëronte 68% të topit. Çfarë vlere ka zotërimi kur lojtari yt më i mirë mbetet jashtë lojës dhe sulmuesi qendror nuk merr asnjë top?

Milani pati fat që Joseph shpërdoroi dy raste të shkëlqyera në pjesën e parë, edhe falë reagimeve të mira të Torriani, pas gabimeve të Musah dhe Bartesaghi. Gjithsesi, do të hakmerrej në pjesën e dytë.

Verdikti
Duke kuptuar problemet, Amorim u përpoq ta zgjonte skuadrën, duke aktivizuar titullarët e pazëvendësueshëm (Pulisic, Moreira dhe Gila), si dhe duke tërhequr Rabiot më prapa. Megjithatë ndryshimet nuk sollën efekt, pasi Milani vazhdonte të ndërtonte lojën në mënyrë të parashikueshme dhe të mbrohej pa kompaktësi.

Joseph e qetësoi ndërgjegjen duke shënuar dy herë në portën bosh. Në golin e parë përfitoi nga një pasim katastrofik prapa i De Winter, që nuk u kontrollua nga Torriani. Në të dytin shfrytëzoi një kundërsulm dhe një pasim inteligjent të Zachariassen. Ky i fundit, ashtu si krahu tjetër Birmanevic, zhvilloi një ndeshje shumë të mirë.

Gjuajtja e parë e Milanit në kuadrat erdhi vetëm në minutën e 36-të, me Hutchinson, kur Ferencváros luante me 10 lojtarë pas përjashtimit të Yusuf. Ndërkohë, Amorim kishte aktivizuar edhe Modric e Camarda, duke e mbyllur ndeshjen me një skemë të pabesueshme 4-2-4, ku Moreira luante si mbrojtës i majtë.

Një lëvizje e dorëzimit, ose më saktë e dëshpërimit. Cili version i Milanit do të shfaqet të dielën në “Marassi”? Kureshtja është e pashmangshme…

The post Formacion i pakuptimtë, zero intensitet, Jashari pa karakter… Të gjitha gabimet e Milanit në Europë appeared first on Telesport.