Të mërkurën pasdite, Konferenca Vjetore e Forumit të Boaos për Azinë zhvilloi dialogun e nivelit të lartë “Krijimi i besimit në mjedisin global në ndryshim”, ku politikanë, ekspertë e studiues dhanë mendimet e sugjerimet e tyre mbi qeverisjen globale.
Paulo Rangel, ministër i Shtetit dhe i Punëve të Jashtme i Portugalisë, theksoi që, në një epokë plot pasiguri, pa mbështetjen e një kuadri shumëpalësh, vështirësitë me të cilat përballen vendet e vogla e të mesme do të përkeqësohen më tej. Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve që të mbështesin vlerat thelbësore të multilateralizmit.
Ish-presidenti slloven Danilo Türk vuri në dukje që, në peizazhin botëror në ndryshim të vazhdueshëm, krijimi i besimit është një temë kyçe dhe një detyrë shumë sfiduese. Ai shprehu mendimin se bota njëpolare ka marrë fund dhe prirja e shumëpolarizimit po bëhet gjithnjë e më e dukshme, duke shtuar nevojën për të praktikuar multilateralizmin dhe për të formuar një kornizë të re për bashkëpunimin ndërkombëtar.
Jeffrey Sachs, profesor në Universitetin e Kolumbias në ShBA, theksoi që bota po përballet me sfida të rënda, siç janë fatkeqësitë mjedisore, por bashkësisë ndërkombëtare ende i mungojnë parimet e reagimit efektiv dhe sistemet ligjore. Ai tha: “ShBA-ja shpesh fokusohet te forca si udhërrëfyese në çështjet ndërkombëtare dhe shpërfill ligjin ndërkombëtar. Shumica dërrmuese e vendeve dëshirojnë rendin paqësor dhe sundimin e ligjit, por ShBA-ja shkon në anën e kundërt.”
