Franca dhe Zvicra kanë ngritur shqetësimet lidhur me kërcënimet hibride ruse dhe kanë urdhëruar masa e kanë miratuar strategji për t’iu kundërvënë atyre.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi më 18 shtator për kërcënimet në rritje nga operacionet klandestine ruse në mbarë Evropën, duke thënë se ka urdhëruar ndërmarrjen e masave për të mbrojtur infrastrukturën kritike nga “sulmet hibride” ruse.

Macron u zotua se sulmet e Rusisë në tokën franceze nuk do të kalojnë pa kundërpërgjigje.

“Kërcënimi hibrid rus kundër evropianëve dhe Francës është intensifikuar”, tha Macron për gazetarët, pas takimit me udhëheqësit politikë francezë.

Në këtë takim morën pjesë edhe shefat e dy agjencive të inteligjencës të Francës që njoftuan udhëheqësit me vlerësimet e tyre sa i përket sigurisë.

Që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 2022, aleatët evropianë të Kievit, përfshirë Francën, kanë ngritur alarmin për sulmet hibride, që i kanë lidhur me Rusinë.

Megjithatë, këto sulme vlerësohet se janë nën pragun e një lufte të hapur. Megjithatë, ato kanë përfshirë fluturime dronësh afër objekteve me rëndësi, shkelje të hapësirave ajrore dhe sulme kibernetike.

Më herët gjatë këtij muaji, Berlini e fajësoi Moskën për një incident në aeroportin e Lejpzigut, incident që sipas Bashkimit Evropian kishte të gjitha shenjat e “terrorizmit të sponsorizuar nga shteti”. Ky incident vuri në pah përshkallëzimin sa u përket taktikave që Moska është e gatshme t’i përdorë ndaj shteteve të NATO-s.

Macron tha se ka urdhëruar “Qeverinë që të përgatisë një plan për mbrojtjen e infrastrukturës sonë kritike” dhe të objekteve “më të ndjeshme” të industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë, nga sulmet me dronë dhe sulmet kibernetike.

Ai shtoi se ministri i Brendshëm i Francës është me kryetarët e komunave për të rritur vigjilencën.

Macron tha se pavarësisht kërcënimeve ruse, Franca do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën dhe u zotua se Parisi do t’u përgjigjet sulmeve klandestine ruse.

“Kjo nuk do të mbetet pa përgjigje”, tha Macron, pa dhënë detaje të tjera.

“Qëllimi i kësaj është të na frikësojë dhe të pengojë përpjekjet për t’i mbështetur ukrainasit. Pasoja do të jetë e kundërta. Ne nuk frikësohemi, sepse e dimë se ajo që është në rrezik sot në Ukrainë është siguria jonë”, theksoi Macron.

Po më 18 shtator, Qeveria e Zvicrës njoftoi se Këshilli Federal ka miratuar Strategjinë e Politikës së Sigurisë së Zvicrës 2026.

“Në përgjigje të përkeqësimit të situatës së sigurisë, Zvicra ka tri objektiva: forcimin e qëndrueshmërisë, përmirësimin e mbrojtjes dhe rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes”, u tha në njoftim.

Sipas Zvicrës, lufta e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, kërcënimet hibride dhe varësitë kritike paraqesin sfida për shtetin, ekonominë dhe shoqërinë.

Ajo tha se situata ndërkombëtare e sigurisë po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme, duke theksuar se kërcënimet hibride po rriten dhe infrastruktura kritike po bëhet më e cenueshme.

“Me Strategjinë e Politikës së Sigurisë 2026, Këshilli Federal po e pozicionon Zvicrën për të përballuar këtë mjedis. Prioritetet strategjike për vitet e ardhshme janë forcimi i qëndrueshmërisë, përmirësimi i kapaciteteve për rezistencë dhe mbrojtje, si dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse”, u tha në njoftimin e Qeverisë Zvicerane.

Strategjia e re, sipas Zvicrës, ka 46 masa dhe dhjetë qëllime kryesore të cilat do të nisin që të zbatohen menjëherë.

“Strategjia ka prioritet masat që luftojnë kërcënimet që ka gjasa të ndodhin më shumë: sulmet hibride dhe nga distanca dhe krimi i organizuar brenda Zvicrës”.