Gazetar: Suad Bajrami

Derisa me fshesa dhe makineri vijon aksioni 72-orësh për pastrimin e Qytetit të Shkupit nga mbeturinat, kryetari i sapozgjedhor Orce Gjorgievski pastron listat e të punësuarve në ndërmarrjet publike, të cilët sipas tij kanë marrë paga pa shkuar në punë ose kanë keqpërdorur vendin e punës. Deri tani janë përjashtuar 400 persona, por pritet që numri të shkojë deri në 500.

“Dje thash se është 371, sot vetëm se është 398, afërsisht 400 njerëz. Unë i ftova institucionet që të hyjnë dhe të merren me këto raste. Këtu absolutisht do të kërkoj përgjegjësi edhe prej atyre që kanë nënshkruar që diçka e tillë të zbatohet. Pse? Nëse e marrim parasysh tani janë 400 persona, jam i sigurt se do të gjejmë për shumë shpejtë deri në 500 persona. 500 persona të marrin pagë janë së paku 5 milionë euro nga qytetarët në vjet. Për 4 vite, ato janë 20 milionë euro ose në përkthim – ai është Luna Parku që duhet ta bëjmë, ndërsa e presin qytetarët në Shkup”, tha Orce Gjorgievski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Gjrogievski, theksoi se punëtorë të përjashtuar ka nga të gjitha profilet, ndërsa theksoi që shumica e tyre janë nga Ndërmarrja Publike për Parqe dhe Gjelbërime dhe Ndërmarrja Publike për Higjienë Komunale.

“Do tua vëmë në dispozicion opinionit dhe mediave të gjithë emrat me emër dhe mbiemër. Pjesa më e madhe e keqpërdorimeve nga afërsisht 170 persona, janë nga Parqet dhe Gjelbërimet dhe Higjiena Komunale. Por, edhe të gjitha ndërmarrjet tjera, por me volum më të vogël të dukurive të tyre devijuese. Punëtorë, udhëheqës, unë dje fola edhe për një dukuri tjetër. Janë angazhuar nën shërbime intelektuale kamionë të dikujt dhe është paguar për të njëjtat nga 5 deri në 10 mijë euro, për gjoja ta pastrojnë qytetin”, deklaroi Orce Gjorgievski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Derisa Gjorgievski, përsëriti kërkesën për hetim nga organet kompetente, nga Prokuroria theksojnë që për këtë zbulim të veprave penale ka institucione tjera.

“Institucionet kompetente për zbulimin e veprave penale janë MPB, Drejtoria e Policisë Financiare, Inspektoratet… Deri në Prokurori deri në këtë moment nuk është dorëzuar asnjë paraqitje, as njoftim”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, për Alsat theksojnë se momentalisht nuk janë duke zhvilluar aksione sa i përket çështjes në fjalë. /Alsat.mk

The post “Fshesë” në qytetin e Shkupit, Gjorgievski “pastron” listat e të punësuarve appeared first on Alsat.