FSHF do të organizojë një tjetër turne kualifikues europian gjatë muajit prill. Ndeshjet e raundit të dytë të kualifikueseve të Europianit U-19 për vajza do të luhen të gjitha në vendin tonë më 9, 12 dhe 15 prill.
Kuqezezat e drejtuara nga trajnerja Daniela Kodra do të përballen në këtë fazë me Turqinë, Malin e Zi dhe Lihtenshtejnin. Të katërta ekipet janë pjesë e grupit B5.
Shqipëria do të përballet me Malin e Zi në ndeshjen e parë, takim që është planifikuar të luhet në “Shtëpinë e Futbollit” në ora 15:00 më 9 prill. Në të njëjtën ditë do të luhet edhe sfida tjetër e grupit mes Turqisë dhe Lihtenshtejnit, në ora 12:00 në “Egnatia Arena”.
Në takimin e dytë, kuqezezat do të përballen me përfaqësuesen turke në “Shtëpinë e Futbollit” në ora 15:00. Sakaq, Mali i Zi do të luajë kundër Lihtenshtejnit në “Egnatia Arena” në ora 12:00.
Sfidat e fundit të grupit B5 do të luhen të dyja në orën 14:00. Shqipëria do të luajë kundër Lihtenshtejnit në “Shtëpinë e Futbollit” ndërsa Turqia do të ketë përballë Malin e Zi në “Egnatia Arena”.
Trajnerja Daniela Kodra do të bëjë publike listën e 20 lojtareve të grumbulluara ditën e shtunë. Skuadra jonë do të grumbullohet në Durrës, aty ku do të zhvillojë edhe të gjitha përgatitjet në kuadër të këtyre sfidave.
Kalendari i ndeshjeve të grupit B:
Turqi – Lihtenshtejn, 9 prill, ora 12:00, “Egnatia Arena”
Shqipëri – Mal i Zi, 9 prill, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”
Mal i Zi – Lihtenshtejn, 12 prill, ora 12:00, “Egnatia Arena”
Turqi – Shqipëri, 12 prill, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”
Lihtenshtejn – Shqipëri, 15 prill, ora 14:00, “Shtëpia e Futbollit”
Mal i Zi – Turqi, 15 prill, ora 14:00, “Egnatia Arena”
The post FSHF organizon një tjetër turne europian kualifikues, Shqipëria bën pjesë në grupin B appeared first on Telesport.
