Pesë shtetet më të fuqishme ushtarakisht në Evropë pritet të shpallin një plan të ri për të investuar në dronë ushtarakë, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar industrinë e mbrojtjes. Kjo nismë po ndodh në një kohë kur lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon dhe kur ka shqetësime në rritje për angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s.
Sipas një dokumenti të parë nga agjencia Reuters dhe një burimi nga Ministria e Mbrojtjes e Polonisë, këto pesë vende synojnë të bashkëpunojnë për zhvillimin e dronëve autonomë – pra dronë që mund të veprojnë vetë, pa u drejtuar vazhdimisht nga njeriu.
Lufta në Ukrainë ka treguar se dronët autonomë që kapin dhe shkatërrojnë objektiva ajrore mund të jenë një alternativë më e lirë dhe efektive krahasuar me raketat e shtrenjta të mbrojtjes ajrore. Për këtë arsye, vendet evropiane duan të përfitojnë nga përvoja e Ukrainës.
Ministrat e Mbrojtjes të Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Britanisë do të mblidhet në Krakow të Polonisë.
Takimi zhvillohet në një moment kur liderët evropianë po përpiqen të rrisin kapacitetet e mbrojtjes, mes dyshimeve për gatishmërinë e SHBA-së për të garantuar sigurinë e Evropës përmes aleancës së NATO-s.
Sipas draft-deklaratës, ministrat mbështesin rritjen e prodhimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake në Evropë. Ata gjithashtu përshëndesin vendimin e Bashkimit Evropian për t’u dhënë shteteve anëtare më shumë liri në përdorimin e buxhetit për mbrojtjen.
Megjithatë, dokumenti thekson se përgjegjësia për mbrojtjen mbetet në nivel kombëtar, ndërsa roli i BE-së është mbështetës.
Ministrat zotohen gjithashtu të bashkëpunojnë brenda NATO-s dhe BE-së për t’u përballur me kërcënimet hibride nga Rusia, si sulmet kibernetike, dezinformimi apo ndërhyrjet politike, si dhe të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën dhe përpjekjet për arritjen e paqes.
Ata kanë rënë dakord të nisin një nismë të re të quajtur “Loë-Cost Effectors and Autonomous Platforms” (LEAP). Qëllimi i saj është të forcojë bashkëpunimin në zhvillimin dhe blerjen e mjeteve ushtarake me kosto të ulët dhe sistemeve autonome që mund të realizojnë objektiva ushtarake në mënyrë më efikase.
Në gjuhë më të thjeshtë, kjo do të thotë investim në pajisje dhe dronë më të lirë, por efektivë, që mund të përdoren në fushëbetejë pa pasur nevojë për ndërhyrje të vazhdueshme njerëzore.
The post Fuqitë ushtarake evropiane planifikojnë program të përbashkët për mbrojtje me dronë appeared first on Alsat.
