Fushata zgjedhore ka nisur furishëm nga partitë politike. Përdorim i folklorizmave patriotik dhe deklarata politike që nuk kanë të bëjnë me zgjedhje lokale. Analisti Agim Jonuz thotë se përdorimi i termave mesjetare në një kohë moderne, nënvlerëson së pari inteligjencën dhe vetëdijen e qytetarëve dhe në radhë të dytë defokuson elektoratin nga përzgjedhja e ofertës reale.

“Absurdi për të qenë edhe më i madh është se tematika dhe retorika në këto zgjedhje lokale nuk kanë asnjë lidhje me pushtetin lokal. Zgjedhjet lokale nënkuptojnë të gjendet menaxher i cili do të rregulloj mjedisin jetësor, kushtet e jetesës së përditshmërisë në mënyrë që qytetarët do të kenë përditshmëri më të mirë. Dhe kjo beteja se kush është shqiptar më i madh! Absurdi i përdorimit të retorikës që do të vërtetoj se kush është patriot më i madh dhe cili është shqiptar më i madh është e gabuar 1milion%. Nuk mundesh ti të përdorësh nacional-romantizëm për festime, për ceremoni mortore dhe për dasma dhe për fushata parazgjedhore”, tha Jonuz.

Nga ana tjetër komunikologu Bojan Kordalov thotë se qytetarët kanë nevojë për gjëra praktike, në përmirësimin e cilësisë së jetesës. Sipas tij, fjalori figurativ me kafshët e egra dhe ato shtëpiake nuk mund të qartësoj projektet për asfaltimin e rrugëve, sistemin e ujësjellësit dhe kanalizimit.

“Këto janë zgjedhje dhe nevojat e pritjet e njerëzve janë të zgjidhen probleme siç janë ndotja e ajrit, mos mbledhja e mbeturinave, ndërtimet që nuk lejojnë ecjen e këmbësorëve, mos pasja e cilësisë së jetesës dhe këto janë gjëra që mungojnë. Përderisa Evropa përjeton mirëqenien sepse ka investuar në infrastrukturë, në hekurudha, në autobusë dhe çfarëdolloj trafiku tjetër. Ndërsa ne, duke u grindur si subjekte politike mes vete për fat të keq në dëm të gjithë vendit dhe çdo njeriu, nuk arrijmë t’i bëjmë në çdo cikël zgjedhor që diçka të ndryshohet në katër vite, por vetëm të bëhen grindje, antagonizëm, që në fund nuk do të sjell asgjë përveç ngecjes në vend, apo kthimit mbrapa”, tha Kordalov.

Këto reagime vijnë pas konventave të para të partive më të mëdha politike në vend. Ndonëse më 19 tetor do të jenë zgjedhjet lokale, disa parti këtë garë e cilësojnë si referendum ndërmjet pushtetit dhe opozitës dhe një paralojë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend.