Mbeten edhe tre ditë deri në fillimin e heshtjes zgjedhore përpara zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 19 tetor. Deri atëherë, partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur do të vazhdojnë me prezantimin e programeve të tyre para qytetarëve dhe me promovimin e kandidatëve për kryetarë komunash.
Edhe sot janë paralajmëruar tubime dhe takime të drejtpërdrejta me qytetarët në disa komuna të vendit.
Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të zhvillojë tubime dhe takime në Probishtip, Makedonska Kamenicë, Pehçevë, Berovë dhe Dellçevë.
Koalicioni i udhëhequr nga LSDM do të mbajë tubime në Qendrën e Zhupës, Dibër, Gostivar dhe Mavrovë-Rostushë.
Ndërkohë, kandidati i pavarur për kryetar të komunës së Gostivarit, Visar Ademi, do të mbajë një konferencë për shtyp në orën 10:00, ku do të prezantojë platformën e tij “Pesë premtimet për Gostivarin”.
Në kuadër të fushatës, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore do të mbajë sot një takim me kandidatin e pavarur për kryetar të komunës së Strugës, Mendi Qyra. Si pjesë e traditës së saj, Oda zhvillon takime me partitë politike dhe kandidatët për të prezantuar Platformën për Zhvillim Ekonomik Lokal, me qëllim që të paraqesë qëndrimet dhe prioritetet e komunitetit afarist.
Fushata zgjedhore përfundon zyrtarisht më 17 tetor në mesnatë, ndërsa më 18 tetor nis heshtja zgjedhore, që do të zgjasë deri në ditën e votimit, më 19 tetor.