Forumi i Gruas i LSDM-së ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe fyerjet ndaj grave nga Milenko Nedellkovski dhe Sasho Tasevski, duke paralajmëruar edhe kallëzime përkatëse. Kryetarja e forumit, Kaja Shukova, tha se në kohën kur vendi po përballet me raste të rënda të femicidit dhe rritje të dhunës ndaj grave, persona publikë po përhapin ofendime dhe urrejtje në rrjetet sociale. Nga LSDM kërkuan shkarkimin e Milenko Nedellkovskit nga posti i drejtorit ekzekutiv të KF Vardari, si dhe sanksione ndaj Sasho Tasevskit.

“Viktimat e fundit të sulmeve të turpshme dhe gjuhës së urrejtjes janë këngëtarja Karolina Goçeva, si dhe fyerjet, shpifjet dhe nënçmimet e vazhdueshme ndaj zëdhënëses sonë dhe grave të Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. Forumi i Grave i LSDM-së i dënon këto veprime dhe paralajmëron se do të paraqesë kallëzime përkatëse. Duhet të ketë përgjegjësi. Kërkojmë që Milenko Nedellkovski të shkarkohet menjëherë nga funksioni i drejtorit ekzekutiv të KF Vardari. Kërkojmë që Sasho Tasevski të sanksionohet në mënyrë përkatëse dhe t’i bllokohen videot në rrjetet sociale, të mbushura me fyerje dhe poshtërime ndaj grave”, tha Kaja Shukova – LSDM.