Filloi të ndërtohet në vitin 2017, por që atëherë e deri më tani pallati për kulturë në fshatin Kamjan të komunës së Bogovinës ka mbetur në këtë gjendje. Pamjet tregojnë se objekti tashmë ka nisur të rëndohet, bodrumi është plotë më ujë, çimentoja është tharë dhe tullat që janë sjellë janë thyer.

Objekti tash për tash shfrytëzohet për mbajtjen e makinerive bujqësore dhe strehë për qentë endacak.

Mahir Rexhepi nga bashkësia lokale druan për sigurinë e fëmijëve të fshatit, ndërsa gjendjen e objektit më së miri e shpjegon me një fjalë popullore – “gjallë e në hall”

“Shpresojmë se do rregullohet dhe disa herë kemi bërë edhe kërkesa, edhe ankesa të na japin ndonjë përgjigje, nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje për momentin, herën fundit na kanë premtuar se do rregullohet për momentin nuk ka asgjë , por në atë gjendje na rrezikon edhe fëmijët tanë dhe ka ngel siç e keni parë , si thotë një fjalë e vjetër nga ana jonë “gjallë e në hall””, theksoi Mahir Rexhepi – Bashkësia lokale fsh. Kamnjan.

Kryetari i Bogovinës, Feti Abzai, thotë se katër vitet e fundit nuk janë ndarë mjete për këtë objekt, ndërsa po shpreson në thirrjen e ministrisë në muajin shkurt.

“Konkretisht 3 apo 4 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë ecje apo vazhdimësi të ndërtimit në faza të tjera edhe arsyeja është se nuk ka pasur fonde të ndara nga ministria kulturës, shpresojmë nga njohurit që kemi në muajin shkurt ndanë mjete dhe ne presim që të behët shpallja nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe kemi planifikuar që të aplikojmë për thirrje të mjeteve dhe shpresojmë se do të arrimë në mirëkuptim dhe Ministria e Kulturës do ndan mjete”, u shpreh Feti Abazi – Kryetar i Komunës së Bogovinës.

Të pyetur për këtë, nga Ministria e Kulturës na thanë se nuk janë parashikuar aktivitete për subvencione për Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale për vitin 2026.

MINISTRIA E KULTURËS:

“Projektet e nisura nga komunat si projekte kapitale për të cilat kanë përdorur subvencione nga Qeveria përmes ministrive përkatëse janë detyrë e komunave për t’i përfunduar plotësisht. Për këtë arsye, informacionet për përfundimin e projektit komunal për Shtëpinë e Kulturës në Kamjan, ju udhëzojmë t’i siguroni nga Komuna e Bogovinës.

Një muaj më parë zv/kryeministri i parë Bekim Sali u premtoi banorëve vazhdimin e këtij projekti. Gjatë deklaratës së tij, Sali u shpreh se institucionet janë të përkushtuara për ta çuar përpara këtë nismë me rëndësi të madhe kulturore dhe shoqërore për banorët e Kamjanit dhe më gjerë. “Pallati i Kulturës në Kamjan do të bëhet. Ky është një obligim moral dhe institucional. Amaneti i Hoxhë Sead Ajrulit do të realizohet”, u pat shprehur zëvendëskryeministri Sali.