Qeveria në mbledhjen e jashtëzakonshme të djeshme ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes së krizës 30-ditore në gjithë territorin e shtetit, në mënyrë që të mund të zbatojë masën për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 10 për qind – konfirmoi kryeministri Mickoski. Ai vlerëson se me këtë ulje është ndërmarrë një veprim më i fuqishëm, pasi nëse do të ndërhyhej në akciza, ulja për benzinën do të ishte 1 denar, ndërsa për dizelin 2 denarë për litër, ndërsa tani çmimet ulen nga 6.5 deri në 7 denarë për litër.

“Dita e kursimit është më shumë se 200 mijë euro për qytetarët. Presim që në baza javore të jetë rreth një milion e gjysmë euro. Do ta ndjekim situatën dhe në vend që të jemi reaktivë, do të jemi proaktivë. Aktualisht kemi bindshëm çmimet më të ulëta të dizelit dhe benzinës pa plumb, 95 dhe 98 oktan, krahasuar me vendet e rajonit”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Mickoski thotë se situata po monitorohet dhe nëse ka nevojë do të ndërhyhet.

Ndërkohë, sipas ekspertëve, masa për uljen e TVSH-së për karburantet është e vonuar dhe e pamjaftueshme për të parandaluar rritjen e çmimeve të produkteve të tjera si pasojë e krizës së naftës.

“Mendoj se kjo nuk është e mjaftueshme, duke pasur parasysh se qeveritë e vendeve fqinje kanë ndërmarrë masa shumë më drastike. Nuk do të ketë ndikim të madh, sepse çmimet e të gjitha produkteve do të rriten, pasi energjia është bazë për prodhimin e shumicës së tyre”, shtoi Nasir Selimi, profesor universitar.

Edhe opozita, LSDM, vlerëson se masat janë të pamjaftueshme dhe të vonuara. Nga partia reaguan edhe ndaj deklaratave të VMRO-DPMNE për kursimet e qytetarëve.

“Nga VMRO thonë se kursehen 1.5 milionë euro në javë. Me të vërtetë jemi ekonomia e katërt në botë, gjithçka lulëzon. Nuk tregojnë ku janë 4.5 milionë eurot javore nga tre javët e fundit”, thonë nga LSDM.

Vendimi për shpalljen e gjendjes së krizës është publikuar tashmë në Gazetën Zyrtare, ndërsa masa për uljen e TVSH-së për karburantet hyn në fuqi nga mesnata e sotme. Sipas arsyetimit, gjendja e krizës është shpallur për të lehtësuar zbatimin e masave për përballimin e pasojave nga situata në Lindjen e Mesme. Me këtë aktivizohet edhe Shtabi Kryesor pranë Qendrës për Menaxhim me Kriza, i cili do të jetë në mbledhje të vazhdueshme për të monitoruar masat.