Policia gjermane ka qëlluar një ushtar gjatë një stërvitjeje të madhe të Bundeswerit, forcave të armatosura të Gjermanisë, në qytetin jugor të Erding, njoftuan autoritetet zyrtare.

Sipas një deklarate të zëdhënësit të komandës operative të Bundeswerit për DPA, policia, e thirrur nga banorët lokalë, për shkak të një keqkuptimi qëlloi ndaj ushtarit që po merrte pjesë në stërvitje.

Ushtari pësoi lëndime të lehta dhe u transportua në spital, nga ku më pas u lirua, shtoi zëdhënësi.

Policia njoftoi se kishte reaguar ndaj disa thirrjeve për një person të armatosur dhe kishte angazhuar disa njësitë e saj. “Më vonë u zbulua se personi i armatosur ishte një anëtar i forcave të armatosura gjermane

, i cili ishte prezent si pjesë e stërvitjes,” thuhet në deklaratë.

Qëllimi i stërvitjes ishte simulimi i një beteje pas vijës së frontit në një situatë mbrojtjeje, me pjesëmarrjen e ushtrisë, policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse dhe shpëtimi.

Një tipar i veçantë i stërvitjes ishte se rreth 500 ushtarë dhe 300 persona nga shërbimet civile emergjente zhvillonin ushtrimet në hapësira publike, në vend të poligoneve ushtarake të mbyllura.

Sipas Bundeswerit, stërvitja kishte për qëllim përgatitjen për kërcënime në “linjat e pasme”, duke përfshirë sulme me dronë, sabotime dhe veprime të ashtuquajtura nga forca të armatosura jo-rregullore ose luftëtarë jashtë ushtrisë shtetërore.

Skenari supozonte një sulm ndaj një anëtari të NATO-s, gjë që do të kërkonte mbrojtje në nivel të Aleancës.

Stërvitja gjithashtu përfshinte kontrollin e trafikut, gjetjen e armëve të fshehura, luftën kundër tregtisë ilegale të armëve dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Për më tepër, ushtarët praktikuan mbrojtjen kundër dronëve armikë dhe dislokimin e forcave të tyre.