Me rastin e 63-vjetorit të tërmetit katastrofik në Shkup, kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski sot vendosi lule pranë Monumentit të Viktimave, duke nderuar të gjithë ata që humbën jetën në tragjedinë e 26 korrikut 1963.
Me këtë rast, Gjorgjievski në një postim në Facebook theksoi se edhe pas më shumë se gjashtë dekadash, Shkupi vazhdon t’i kujtojë viktimat e tërmetit që më 26 korrik 1963, në orën 05:17, mori mbi një mijë jetë njerëzish dhe la pas shtëpi të shkatërruara e familje të ndara.
“Për vetëm pak sekonda u shuan më shumë se një mijë jetë njerëzish, u rrënuan shtëpi dhe u ndanë familje. Pas çdo numri fshihej një fëmijë, një prind, një bashkëshort, një mik – e gjithë bota e dikujt. Sot, me respekt të thellë, përulemi para kujtimit të viktimave. Dhimbja e tyre është e gdhendur në themelet e qytetit tonë, ndërsa detyrimi ynë për të mos i harruar është i përjetshëm”, shkroi ai.
Në postimin e tij, Gjorgjievski rikujtoi se pas katastrofës, bota i zgjati dorën Shkupit dhe ndihmoi në rindërtimin e tij, duke e shndërruar qytetin në simbol të humanizmit dhe solidaritetit ndërkombëtar.
“Sot, detyra jonë është të vazhdojmë aty ku ndalën brezat para nesh – ta ruajmë, ta zhvillojmë dhe ta ndërtojmë qytetin me vizion, përgjegjësi dhe dashuri për çdo pjesë të tij. Të krijojmë një Shkup modern, të sigurt dhe dinjitoz, një qytet që respekton të kaluarën, por ndërton me guxim të ardhmen. Nderimi më i madh për ata që humbëm është të ndërtojmë një qytet të denjë për kujtimin e tyre dhe për brezat që do të vijnë”, theksoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.
