Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko është shpallur i pafajshëm në rastin që lidhej me blerjen e një veture luksoze “Audi”, në vlerë prej 67.000 eurosh, përcjell TV21. Sipas autoriteteve, Merko është shpallur i pafajshëm në mungesë të provave për vepër penale.
Gjykata konstatoi se në procedurën e prokurimit publik nuk ka dëshmi që tregojnë se Merko ka pasur qëllim të keqpërdorë pozitën e tij zyrtare. Avokati i tij, Igor Petkovski, deklaroi se aktgjykimi dëshmon që nuk ka pasur shkelje të ligjit gjatë blerjes së automjeteve zyrtare, vlera totale e të cilave arrin 114.000 euro.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e akuzonte Merkon për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare. Rasti tërhoqi vëmendje të madhe pasi Merko ishte futur në listën e zezë të SHBA-së për shkak të, siç u theksua, dyshimeve serioze për korrupsion dhe ndërhyrje në sistemin gjyqësor.
Megjithatë, gjykata vlerësoi se nuk ka baza të mjaftueshme për përgjegjësi penale në këtë rast konkret të prokurimit publik, dhe për këtë arsye Merko u shpall i pafajshëm nga akuza.
