Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, nëna e së ndjerës Ivana Jovanovska dëshmoi për vite të tëra dhune dhe frike që, sipas saj, vajza e saj kishte përjetuar nga bashkëshorti, i akuzuari Stojançe Jovanovski. Ajo tregoi se Ivana shpesh kishte shenja dhune në trup, por refuzonte ta pranonte, duke thënë se “do të bëhet mirë”.

Në një rast të vitit 2021, nëna tha se e kishte gjetur vajzën të traumatizuar me fëmijën në krahë, ndërsa i akuzuari ushtronte dhunë edhe para fëmijës. Sipas saj, Ivana jetonte vazhdimisht me frikën se do t’i merrej vajza dhe ishte nën kontroll të vazhdueshëm.

Gjykimi ndaj të akuzuarit ka nisur sot. Stojançe Jovanovski ka pranuar fajësinë për dhunë fizike, por jo edhe për akuzën se e ka shtyrë Ivanën drejt vetëvrasjes, ndërsa gjykata nuk e pranoi pranimin e pjesshëm dhe procedura vazhdon me dëshmi dhe prova.