Ish-drejtori i Klinikës për Onkologji, Nikola Vasev, i cili bashkë me tre onkologë të tjerë është i akuzuar për mjekim të pandërgjegjshëm të pacientëve, sot para Gjykatës Penale Shkup tha se nuk ndihet fajtor. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe tre të akuzuarit e tjerë – Meri Peshevska, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të gjithë të punësuar në Klinikën e Onkologjisë Shkup. Në fillim të seancës, gjyqtarja Snezana Markovska informoi se ankesat e mbrojtjes për ekspertizat e përgatitura në Slloveni dhe Serbi refuzohen si të pabazuara. Gjykata në fillim refuzoi edhe kërkesën për bashkimin e procedurës nga ana e mbrojtjes së Nino Vasevit me lëndën që zhvillohet kundër tij dhe drejtorit ekonomik të Onkologjisë, Nehat Nuhi. Prokurorja Gogovska Jakimovska paralajmëroi se para Gjykatës do të paraqesë prova se i akuzuari i parë, Nikola Vasev, me vetëdije dhe në mënyrë sistematike ka vepruar në kundërshtim me parimet bazë, duke shkaktuar kështu dëmtim të rëndë të shëndetit të pacientëve.