Gazetar: Suad Bajrami

Në pritje të raportit të progresit nga Komisioni Evropian, ekspertët e vlerësojnë gjendjen me reformat në gjyqësor si katastrofike dhe shqetësuese. Analisti Sinisha Pekevski sheh stagnim në këtë fushë, e cila ka rëndësi të madhe për procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Në letër lëvizim, por në realitet fare nuk lëvizim. Është për të ardhur keq që tanimë të gjithë evidentojnë se në Maqedoni nuk sundon e drejta dhe se korrupsioni në gjyqësor është i madh. Për besimin në sistemin gjyqësor më herët kemi thënë se është 3%, ndërsa tani do të thosha se është në zero presje disa decimale ose është në minus. Që tregon se as qytetarët beson në sistemin, as pushteti aktual beson në sistemin, e as Komisioni Evropian beson në gjyqësor”, theksoi Sinisha Pekevski, Analist.

Arsye për zhgënjimin, sipas Pekevskit, janë edhe vendimet skandaloze të gjykatave në raste me interes të lartë publik.

“Aktgjykimet e fundit që janë rrëzuar në Gjykatën Supreme si Llaskarca dhe një rast tjetër, tregojnë se shumë çështje janë të gabuara e aq më shumë gabim është që askush nuk mban përgjegjësi për shkak të rrëzimit të aktgjykimeve përpara Gjykatës Supreme”, shton Pekevski.

Pekevski nuk pret notë pozitive në raportin e progresit për këtë vit, ndërsa pret që të përsëriten rekomandimet që ndër vite jepen e nuk realizohen.

“Sërish do të evidentohen ato të cilat të gjithë i kanë  të njohura se gjendja edhe në Këshillin Gjyqësor, por edhe në gjyqësor është në nivel shumë të ulët. Është e evidentuar ajo, nuk duhet të na thotë Komisioni Evropian, ne atë e jetojmë çdo ditë”, theksoi Pekevski.

Në raportin e Komisionit Evropian për vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut nuk kishte shënuar progres në fushën e drejtësisë. Ndër problemet kryesore, KE-ja kishte evidentuar presionet ndaj gjyqësorit, problemet me pavarësinë dhe transparencën, mungesën e burimeve dhe efikasitetit, si dhe rezultatet e pamjaftueshme në luftën kundër korrupsionit. Komisioni Evropian thekson se sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjeve dhe reformave në praktikë. /Alsat.mk

The post Gjyqësori në Maqedoni, reforma vetëm në letër, por jo edhe në realitet appeared first on Alsat.