Nuk ka dhimbje pa fitore. Kjo shprehje tipike në botën e sportit funksionon në të gjitha fushat e jetës. Një shembull i saj është lojtari i Bayern, Leon Goretzka.
Verën e kaluar, drejtuesit e klubit bavarez e njoftuan se duhej të gjente një skuadër tjetër, sepse trajneri Kompany nuk kishte vend titullari për të.
Gjermani refuzoi të ndryshojë skuadër dhe këmbënguli se do ta rifitonte vendin e titullarit. Kështu ndodhi. Aleksandar Pavlovic kaloi disa dëmtime, kurse João Palhinha nuk është bërë ende titullar i qartë në formacionin e rekordmenëve të Bundesligës.
Portugezi, i transferuar për 51 mln euro nga Fulham, nuk ka besimin e trajnerit Kompany. Goretzka, nga ana tjetër, ka thyer parashikimet duke luajtur në 29 ndeshje sezonale.
Drejtori i sporteve i Bayern, Christoph Freund, saktësoi së fundmi se “asgjë nuk ka ndryshuar”. Pra, nuk dha sinjale nëse Goretzka do të vijojë të luajë në Mynih.
“Gjithsesi, përgëzime Leonit për mënyrën sesi e ka përballuar këtë situatë. Kjo tregon se ka karakter. Ai është një shembull për t’u ndjekur nga lojtarët e tjerë. Shohim për më tej”.
Legjenda e futbollit gjerman, Mario Basler, së fundmi foli pro Goretzkës. “Për mua, ai është lojtar i kompletuar në rolin që ka. Nuk e kuptoj pse Bayern duhet të mendohet për rinovimin”.
The post Goretzka dhe rikthimi i pabesueshëm! A është penduar Bayern për “dëbimin” e tij në verën 2024? appeared first on Telesport.
