Një borxh i para vitit 2013 ka bërë që të punësuarit e ndërmarrjes komunale të Gostivarit të mos mund të kenë të paguar sigurimin shëndetësor. Edhe pse pas vitit 2013, 109 të punësuarve të kësaj ndërmarrjeje rregullisht u është paguar sigurimi shëndetësor dhe pensional, ata nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë të njëjtin, shkaku i borxhit. Drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski, sot nga Gostivari tha se brenda javës tjetër do të rregullohet dhe këta të punësuar do të mund të kenë sigurim shëndetësor. Edhe për të kjo është një paradoks, pasi që sigurimi shëndetësor paguhet rregullisht dhe, shkaku i një borxhi, ata nuk mund të kenë sigurim shëndetësor.

“Ndërmarrja komunale ka borxh para vitit 2013, borxh që ka qenë para vitit 2009, ku edhe ky borxh ka mbetur i pazgjidhur, ku 109 të punësuar në këtë ndërmarrje janë pa sigurim shëndetësor. Paguhet sigurimi, kjo është një ndër paradokset, pasi që nga 2013 rregullisht paguhet rreth 40 milionë denarë; ndërmarrja publike ka paguar sigurim shëndetësor dhe njëkohësisht nuk kanë sigurim shëndetësor, pasi që askush nuk është angazhuar që t’i zgjidhë gjithë këto procedura administrative burokratike dhe labirinte”, tha Klekovski.

 “Po ta shihni nga këndvështrimi i të punësuarve, definitivisht është bërë padrejtësi, pasi që ata punojnë, janë paguar dhe nuk kanë pasur sigurim shëndetësor. Po ta shihni në aspektin administrativ dhe institucional, fondi s’ka çka bën, se ata kanë borxhe aty dhe nuk mund të aktivizohet pakti shëndetësor për të punësuarit, pasi që ligji thotë kështu dhe nuk mund ta anashkaloni ligjin. Ideja është që është dashur të ulen më herët me institucionet shëndetësore, me institucionet në Gostivar dhe të zgjidhet ky problem”, deklaroi Aliu.

Edhe ministri Aliu dhe drejtori i Fondit, Sasho Klekovski, u pyetën se a do të zgjidhet edhe problemi i të punësuarve të ndërmarrjes komunale Tetova, të cilët rreth 28 muaj janë pa sigurim shëndetësor. Aliu dhe Klekovski thanë se nuk janë të njoftuar me këtë problem, por premtuan se do të interesohen dhe ky problem do të tentohet të zgjidhet.