Qyteti i Gostivarit do të jetë nesër amfiteatri i një spektakli të vërtetë boksi profesional, ku do të ngjiten në ring boksierë nga i gjithë Ballkani dhe bota. Në përballjen kryesore të mbrëmjes, vëmendja do të jetë te boksieri Benjamin Imeri, i cili do të matë forcat me rivalin nga Kolumbia, Edwin Mosquera.

Për të qenë në formën më të mirë të mundshme për këtë sfidë, Imeri ka zhvilluar një fazë përgatitore mjaft intensive dy-mujore, duke premtuar një përballje të fortë dhe me rivalitet të lartë.

Përveç duelit kryesor, organizatorët kanë parashikuar edhe një seri ndeshjesh të tjera mjaft interesante, ku do të përballen emra të njohur të boksit nga rajoni dhe më gjerë.

Një nga organizatorët e këtij eventi, ish-boksieri i njohur Nelson Hysa, shprehet i bindur se e nesërmja do t’u dhurojë adhuruesve të boksit një mbrëmje të jashtëzakonshme sportive.

“Benjamin Imeri është një boksier mjaft i mirë dhe me cilësi të larta. Presim që ndeshjen e nesërme ta përfundojë me një rezultat pozitiv për të,” tha Hysa gjatë prononcimit të tij.

Gostivari mirëpret kështu një event të përmasave ndërkombëtare, ku pritet prani e madhe e tifozëve për të mbështetur boksierët dhe për të shijuar emocionet e ringut.

Sponsor kryesor i kësaj mbrëmjeje të madhe të boksit është kompania Global Immobilien